E Enjte, 5 Nëntor 2026

Himara zyrtarisht me kryetar bashkie, KQZ i jep mandatin Vangjel Tavos

Vangjel Tavo mori zyrtarisht mandatin nga Komisioni Shtetëtor i Zgjedhjeve , i cili i hapi rrugë edhe betimit të tij në Këshillin Bashkiak të Himarës.

“Sot Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancë publike vendosi dhënien e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë z. Vangjel Tavo, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë të datës 4 gusht 2024”, bën me dije KQZ.

Disa ditë më parë Kolegji Zgjedhor rrëzoi padinë e palës paditëse Koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut” për zgjedhjet në bashkinë Himarë.

Ky vendim i hapi rrugën që KQZ t’i japë mandatin e fituar me 4 gusht Vangjel Tavos.

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet në Bashkinë e Himarës me 1477 vota diferencë përballë rivalit të tij nga koalicioni opozitar, Petro Gjikuria.

/a.r

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›