E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipokrizia e Berishës me njerëzit me aftësi të kufizuara dhe një incident që u zhduk

Para një jave, disa persona me aftësi të kufizuara u mblodhën në hotelin më të shtrenjtë në vend, në Sheraton. Përpara tyre do të shfaqej kryeministri Sali Berisha. Njerëz me kostume e luks shkëlqenin para paraplegjikëve e tetraplegjikëve, kurse kryeministri ulërinte se kishte dyfishuar të ardhurat për këtë kategori. Do të vizitoj qendrat tuaja, tha Berisha, ndërkohë që shfaqjen e dha në dritat e Sheratonit.

Por shfaqja nuk shkoi siç duhet. Njëri nga personat me aftësi të kufizuara iu sul kryeministrit duke i thënë se bën hipokrizi me ato që thotë. Ai i tha se kryeministri nuk u ka hapur kurrë derën atyre fatkeqëve. Madje dhe numrin e telefonit që e ka vënë në dispozicion të vegjëlisë, nuk e hap për askënd. Berisha u skuq i tëri dhe u përpoq të shmangte me një buzëqeshje të sforcuar atë person. Në media lajmi vetëm sa u shfaq në një skutë dhe u zhduk urgjent. Vetëm një ditë më parë dikush goditi me vezë presidentin gjerman dhe ai lajm bëri xhiron e botës. Kurse kur drejtuesve tanë u ndodhin të tilla incidente, ato zhduken nga transmetimi.

Megjithatë, një javë pas shfaqjes me drita në Sheraton, tetraplegjikët kanë protestuar përpara kryeministrisë dhe janë duke u sakrifikuar në një grevë urie. Por kryeministri nuk e vë ujin në zjarr për to. I do vetëm për shfaqje televizive në hotele me pesë yje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›