Hiri vullkanik i Etnës paralizon aeroportin e Katanias, fluturimet pezullohen deri në mesnatë

Aeroporti ndërkombëtar “Vincenzo Bellini” i Katanias, në Itali, vijon të jetë i paralizuar për të dytën ditë radhazi për shkak të emetimit të hirit vullkanik nga Etna.
Pezullimi i të gjitha fluturimeve, i cili fillimisht ishte parashikuar të zgjaste deri në mesditën e së dielës, është shtyrë deri në orën 23:59 të datës 27 shtator.
Lajmi është bërë i ditur nga SAC, kompania që menaxhon aeroportin e Katanias, e cila u ka kërkuar pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimit me kompanitë ajrore përpara se të shkojnë në aeroport.
Problemet nisën një ditë më parë, kur hiri vullkanik, i shtyrë nga era në drejtim të jugut, përfshiu zonën e aeroportit. Për shkak të situatës, Njësia e Koordinimit Operacional reduktoi gradualisht numrin e uljeve, nga 10 në 4 në orë, përpara se të vendoste pezullimin e plotë të operimeve.
Situata shkaktoi anulime dhe devijime të fluturimeve. Dhjetë fluturime u devijuan drejt aeroporteve të Palermos, Trapani-t dhe Comisos.
Emetimi i hirit nga Etna ka vijuar prej javësh, por ndryshimi i kushteve atmosferike ka bërë që hiri të zhvendoset drejt aeroportit, duke detyruar autoritetet të marrin masa për sigurinë e fluturimeve.
/rtsh.al/