E Hënë, 2 Nëntor 2026

Histori suksesi në Spitalin Universitar të Traumës, Koçiu: Operacioni me teknikën e avancuar Whipple

Një operacion i ndërlikuar kirurgjikal është realizuar me sukses në Spitalin Universitar të Traumës, ku mjekët i hoqën një pacienteje 33-vjeçare një tumor të rrallë të vendosur në kokën e pankreasit.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila teksa ka bërë publike fotot gjatë procesit të operacionit, shkruan se, “Tumori (insulinomë 3 cm)u diagnostikua dhe trajtua falë bashkëpunimit multidisiplinar dhe profesionalizmit të ekipit mjekësor.”

Operacioni u krye me teknikën e avancuar Whipple (Duodeno-Cefalo-Pankreatektomi), duke ruajtur funksionin pankreatik dhe shmangur komplikacionet pas operacionit.

Ndërhyrja delikate u krye nga ekipi i kirurgëve të spitalit, të cilët konfirmuan se tumori ishte identifikuar në kohë dhe se operacioni shkoi pa komplikacione.

Pacientja ndodhet në gjendje stabile dhe është nën kujdesin e mjekëve pas operacionit.

 “Merita i shkon ekipit të përkushtuar të mjekëve dhe infermierëve: Dr. Dritan Çela, Dr. Valmira Abilaliaj, Dr. Dorina Shtjefni, Dr. Ervin Sulaj, si dhe infermieret Mirela Heti, Arta Prendi, Alma Shkalla dhe Adelina Hysa.”- mbyll mesazhin e saj ministrja Koçiu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›