Historia e Delvinës, koleksionisti Bebi Qerimi e rrëfen përmes fotografive

Prej vitit 2009, 59-vjeçari Bebi Qerimi nga Delvina i është përkushtuar mbledhjes dhe ruajtjes së fotografive të vjetra që pasqyrojnë jetën dhe zhvillimin e qytetit ndër vite. Ideja i lindi gjatë një vizite në shtëpinë e një fotografi të zonës, ku u njoh me një numër të madh fotografish të vjetra që zgjuan interesin dhe dëshirën e tij për t’i bërë ato të njohura për publikun.Fillimisht, Qerimi vendosi t’i publikonte fotografitë në rrjetet sociale përmes faqes “Delvina e Vjetër”. Kjo nismë u prit me interes të madh nga banorët dhe ish-banorët e qytetit, të cilët gjenin në këto fotografi kujtime dhe nostalgji për të kaluarën.
“Isha tek shtëpia e një fotografi Taq Imeri i cili më ka ndihmuar jashtëmase në në pasurimin e këtij koleksioni dhe e shikoj në një ark që kishte disa fotografi dhe direkt më lindi ideja. Thashë përse mos t’i marrim t’i shfaqim në një faqe interneti me emrin Delvina e Vjetër”, deklaroi koleksionisti Bebi Qerimi.
Sot, ai konsiderohet ndër të vetmit koleksionistë të fotografive historike të zonës së Delvinës.I nxitur nga reagimet pozitive të publikut, Qerimi vazhdoi të pasurojë koleksionin e tij me ndihmën e fotografëve dhe familjeve të ndryshme të zonës. Fotografitë që ai ka mbledhur, kryesisht bardh e zi, i përkasin periudhave të ndryshme historike dhe dokumentojnë aspekte të rëndësishme të jetës shoqërore, kulturore dhe ekonomike të qytetit.
Për të ruajtur vlerën dhe origjinalitetin e tyre, Qerimi i skanon dhe riparon fotografitë vetëm aty ku është e nevojshme, pasi dëmtimet nga koha janë të pashmangshme.
“Në shumicën e tyre janë përpjekur dhe bile kohët e fundit që ka filluar kjo inteligjenca artificiale kam regulluar diska disa po shumica janë autentike të gjitha fotografitë i kam skanuar vetë, i kam riparuar ato gërvishtjet me Photoshop dhe janë origjinale. Përpiqem t’i ruaj dhe në arkivat e mia se në qoftë se mbyllet faqja i mbaj dhe në kompjuter, I mbaj dhe në disqe në shumë mënyra në mënyrë që mos të humbas historia, të shikojnë njerëzit, të shikojnë dhe të rinjtë se si ka qenë e kaluara”, shtoi Qerimi.
Përmes këtij pasioni, ai kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e historisë së Delvinës, duke sjellë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm një pasqyrë të çmuar të mënyrës së jetesës dhe zhvillimit të qytetit ndër vite.
/RTSH/