E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e përcaktimit të kufirit detar, pas incidentit të Korfuzit

Gazeta Shqip

Kundërshtitë juridike detare midis Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara

Lufta e ftohtë, negociatat mes Shqipërisë komuniste dhe SHBA-së

Dokumentet e qeverisjes moniste në përcaktimin e vijës bazë të kufirit detar

Artur MEÇOLLARI

Pas incidentit të Kanalit të Korfuzit të ndodhur midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe më 22 tetor 1946 në Gjirin e Sarandës dhe ngjarjeve në Bazën Detare të Pashalimanit me Flotën e ish-Bashkimit Sovjetik në fund të viteve 60, kundërshtitë juridike detare midis Republikës së Shqipërisë dhe SHBA-së në periudhën 1980-1990 janë përballja e tretë më e rëndësishme detare e Shqipërisë në periudhën e Luftës së Ftohtë. Kjo kundërshti u zhvillua në mjedisin diplomatik, por në një fazë të veçantë të saj arriti edhe në pragun e një incidenti ushtarak me ballafaqimin e anijeve të dy flotave në det të hapur.

Qysh përpara firmosjes së Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982) më 10 dhjetor 1982 në Montego Bay të Xhamajkës deri në fund të viteve 90, SHBA-ja ka kundërshtuar pretendimet e tepruara detare të Shqipëria. Në këtë periudhë të mungesës së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, SHBA-ja ka përdorur si presion ndaj qeverisë së Shqipërisë instrumentin diplomatik të kombinuar me atë ushtarak. Në këtë periudhë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë drejtohej nga filozofia komuniste, e cila synonte demonstrimin e një lloji pavarësie duke injoruar të drejtën ndërkombëtare të manipuluar nga SHBA-ja nëpërmjet OKB-së. Ndërsa SHBA-ja, si fuqia më e madhe detare dhe me interesa globale, synonte zbatimin e plotë të parimeve, frymës dhe filozofisë që mishëronte LOS 1958 dhe më pas UNCLOS 1982. Për këtë qëllim, SHBA-ja në fillim të viteve 80 projektoi dhe filloi zbatimin e Programit të Lundrimit të Lirë, program i cili synonte në shtrëngimin e vendeve me pretendime detare të tepruara, dhe zbatimin nga ana e tyre të normave të pranuara ndërkombëtarisht dhe të kodifikuara nga UNCLOS 1982.

Programi i Lundrimit të Lirë u iniciua nga Presidenti Karter mbështetur në LOS 1958, por ai vazhdoi të zbatohej edhe gjatë administratës së Presidentit Regan, Bush, Klinton, Bush i Ri, si dhe vazhdon të zbatohet edhe nga administrata e Presidentit Obama. Ky program është jo diskriminues dhe zbatohet ndaj të gjitha vendeve me pretendime detare të tepruara, qofshin këto vende aleate, mike ose armike. Në varësi të raporteve që SHBA-ja ka me vendin mbi të cilin aplikohet programi, instrumenti që përdoret si detyrim mund të jetë rruga diplomatike ose duke përdorur mjetet ushtarake detare dhe ajrore, në interes të diplomacisë, për ushtrimin e të drejtave të tyre dhe mohimin e pretendimeve të tepruara të vendeve bregdetare.

Pas firmosjes së Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit 1982 (UNCLOS 1982), qeveria komuniste e Shqipërisë ishte plotësisht e vetëdijshme se pretendimet e saj territoriale detare ishin të tepruara dhe jo në përputhje me këtë të drejtë. Në një dokument të hartuar nga Forcat Detare dhe që i dërgohej ish-përfaqësuesit të Shqipërisë në negociatat për Konventën e OKB-së mbi të drejtën e detit dhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme, z. Sokrat Plaka, nëpërmjet zëvendësministrit të Mbrojtjes, z. Jaçe Lula, argumentohej se legjislacioni shqiptar binte në kundërshtim me UNCLOS 1982. Sipas kësaj shkrese, kundërshtitë lidheshin me gjerësinë e detit territorial dhe të drejtën e kalimit paqësor. Në përfundim letra rekomandon se për ndryshimin ose korrigjimin e tyre duhet marrë miratimi nga organet përkatëse. Ky vlerësim i raporteve të legjislacionit shqiptar me të drejtën ndërkombëtare të detit mban datën 18 janar 1983 dhe është hartuar vetëm 39 ditë pas fillimit të firmosjes në Montego Bay të Xhamajkës të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982), më 10 dhjetor 1982. Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS III) u negociua për gati 13 vjet rresht. Shqipëria ka qenë pothuajse palë gjatë fazës fillestare të negocimit e përfaqësuar nga zoti Sokrat Plaka. Por Shqipëria nuk mori pjesë në Montego Bay të Xhamajkës për të firmosur konventën. Shqipëria e pranoi Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS III) në vitin 1990, kur me Ligjin Nr.7366, datë 24.03.1990 ndryshoi Ligjin Nr.4650, datë 9.3.1970 Për kufirin e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe e ratifikoi këtë konventë me Ligjin Nr.9055, datë 24.04.2003 Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit.

SHBA-ja ka qenë një nga kontribuueset dhe investueset kryesore të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982), duke e firmosur atë më 10 dhjetor 1982 në Montego Bay të Xhamajkës. Por SHBA-ja nuk e ka ratifikuar ende konventën, për shkak të pakënaqësive që lidhen me shfrytëzimin e burimeve minerare të nëntokës së fundit të detit. Megjithatë, UNCLOS 1982 është pranuar nga qeveria e SHBA-së gjatë qeverisjes së Presidentit Klinton.

Pavarësisht nga ky qëndrim, SHBA-ja është instrumenti më i fuqishëm global për imponimin e Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit. Programi i Lundrimit të Lirë i drejtuar nga Departamenti i Shtetit dhe i zbatuar edhe me pjesëmarrjen e Departamentit të Mbrojtjes, ka nisur në vitin 1979 dhe u iniciua nga Presidenti Karter. Fillimisht ai u programua për imponimin e katër Konventave të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1958 (LOS 1958), të cilat hynë në fuqi, por nuk u pranuan asnjëherë, dhe më pas të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit të vitit 1982 (UNCLOS 1982), e cila hyri në fuqi në nëntor 1994.

Qëllimi i Programit të Lundrimit të Lirë është ruajtja dhe mbajtja e lëvizshmërisë globale te Forcat e të Armatosura të SHBA-së, si dhe garantimi i së drejtës së lundrimit dhe fluturimit të lirë për të gjithë përdoruesit e oqeanit botëror. Gjatë viteve të zbatimit të programit, objekt i tij kanë qenë pretendimet detare të tepruara të shteteve bregdetare, që lidhen me: gjiret historike; mënyrën e përcaktimit të vijës së drejtë bazë; gjerësinë e detit territorial përtej 12 miljeve detare; kufizimet jo ligjore mbi kalimin paqësor dhe transit etj.

Shqipëria ka qenë e përfshirë intensivisht nga SHBA-ja në Programin e Lundrimit të Lirë, sidomos në periudhën midis viteve 1980-1990. Kundërshtitë juridike detare midis Shqipërisë e SHBA-së dhe që përfshiheshin në këtë program, ishin tri: pretendimet e tepruara të Shqipërisë mbi ndërtimin e vijës së drejtë bazë, pretendimet e tepruara të Shqipërisë mbi gjerësinë e detit territorial dhe pretendimet e tepruara të Shqipërisë mbi të drejtën e kalimit paqësor të anijeve të luftës.

Kundërshtia e parë: Vija e drejtë bazë

Në vitin 1970, Republika Popullore e Shqipërisë miratoi Ligjin Nr.4650, datë 09.03.1970, i cili ndërtoi për herë të parë një sistem të vijës së drejtë bazë përgjatë Detit Adriatik dhe Detit Jon. Teoria e ndërtimit të vijës së drejtë bazë në ligj mishëronte parimin e shprehur në nenin 7 dhe 10 të UNCLOS 1982-it dhe që në zhargonin e përditshëm quhet bashkimi me vijë të drejtë i kepeve më të dala të bregdetit. Në datën 13 qershor 1989, SHBA-ja, nëpërmjet Ambasadës Franceze në Tiranë, i drejtoi qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë një notë zyrtare me anë të telegramit Nr. 193134, në të cilën protestonin mbi kufijtë detarë të Shqipërisë, të shpallur me ligjin e mësipërm. Në notën zyrtare të SHBA-së thuhej: SHBA-ja do të dëshironte të theksonte se për pjesën më të madhe të bregdetit shqiptar, i cili nuk ka shumë të thelluara dhe nuk ka ishuj në afërsi të tij, nuk i përmbush kushtet gjeografike në përputhje me të drejtën ndërkombët

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›