E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia, natyra dhe mikpritja ndërthuren për çdo vizitor në Voskopojë

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Fshati turistik i Voskopojës në Korçë, vazhdon të tërheqë turistë nga e gjithë bota duke u kthyer në një atraksion turistik gjithëvjetor.

Si një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, Voskopoja konsiderohet një perlë e kulturës ballkanike dhe evropiane.

Ky fshat malor ofron mundësi për të shijuar natyrën, kulturën dhe historinë dhe mund të vizitohet çdo periudhë të vitit pasi secila stinë sjell një përvojë të veçantë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Voskopoja plot me turistë këtë sezon veror, që ndalen për të vizituar kishat apo manastiret e zonës, ndërsa u shpreh se në këtë vend “historia, natyra dhe mikpritja ndërthuren në një përvojë të veçantë për çdo vizitor”.

E veçanta e Voskopojës, janë objektet e kultit, kishat, të cilat i kanë shpëtuar deri diku rrënimit dhe këto janë: ”Shën Nikolla”, ”Shën Maria”, ”Shën Ilia”, manastiri i ”Shën Prodhromit”, ”Shën Thanasi”, ”Shën Mehilli”, të cilat janë monument kulture të kategorisë I dhe për të cilat në vazhdimësi është treguar kujdes për t’i restauruar dhe për t’i ruajtur vlerat arkitekturore të këtyre monumenteve.

Në fshatin turistik të Voskopojës, përveç bukurisë, argëtimit shijohen edhe gatime tradicionale si lakrorët e ushqime të tjera me produkte bio të prodhuara në fshat.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›