Historia pas një veshjeje
Në gardërobën e Teatrit Kombëtar. Aty ku një aromë rrobash të çon larg në vite dhe ku çdo veshje mbart një histori…Koralba, punonjësja prej 20 vitesh e teatrit, na zbulon disa nga sekretet nga historia 60-vjeçare e këtij institucioni
Nga fustani elegant që të tregon histori femrash të dashuruara apo grash të lira të Drita Pelingut, tek fustani i bardhë me fruta i Drita Haxhirajt, rrobdeshambri i Violeta Manushit, kostumi i Ndriçim Xhepajt…dhe veshjet e Kadri Roshit, Roland Trebickës, Agim Qirjaqit…
Koralba të fton të ngjisësh shkallët e veshura me tapet të kuq për të ndaluar në katin e tretë të Teatrit Kombëtar. Përmes një korridori të errët, të cilin ajo e shkel çdo ditë, ndalon bri një dere të drunjtë, të cilën e hap me një çelës që e ka vetëm ajo. Aroma e rrobave ndihet sapo ke hyrë në hapësirën e madhe ku ruhet gardëroba e Teatrit Kombëtar. Në këtë hapësirë, Koralba është në botën e saj, në një botë që të josh me sekretet dhe historitë që mbart çdo fustan, këpucë, këmishë apo rrobdeshamber që varen në dollapët që Koralba i ruan me aq kujdes. Që prej 20 vitesh ajo vjen çdo ditë këtu. Hap dritaren, pastron lehtë pëlhurat dhe prek me ngadalë krijesat e saj të çmuara. Historia e një shfaqjeje të teatrit, nuk mbaron me daljen e saj nga skena, ajo vazhdon në një formë tjetër në këtë gardërobë të madhe, ku kjo grua përpiqet të ruajë historinë. Ishte vetëm 24 vjeçe kur iu besua kjo punë. Përveç dëshirës që do të punonte në teatër, Koralba nuk e dinte se kjo punë do ti kthehej në një pasion që nuk mbaron asnjëherë. Teatri dhe këto rroba janë gjithë jeta e saj. Isha beqare kur erdha këtu. Atë vit, në teatër u vu në skenë shfaqja Dua burrë. Si me humor, producenti i shfaqjes më prezantoi me një të afërmin e tij, që u bë dhe bashkëshorti im, tregon ajo, duke më shpjeguar se gjërat më të rëndësishme në jetë i kanë nisur pikërisht që këtu. Sot ajo ka flokë të shkurtra dhe jeta në këtë institucion nuk ia tregon vitet. Pas kaq vitesh, ajo ka krijuar marrëdhënien e saj me çdo veshje të varur në varëse. Këtu janë veshjet e dramës Henri VI, – thotë ajo, teksa heq një pëlhurë të bardhë të vendosur sipër kostumeve që aktorët i veshën në trilogjinë e njohur të Shekspirit, që erdhi në skenën e teatrit nga Andonis Filipi. Këto veshje kanë qenë dhe në Londër në Globus Theater ku aktorët shqiptarë interpretuan gati një vit më parë. Kostumi i Xhek Kejdit, udhëheqësit rebel që tentoi ti rrëmbente mbretit Henri VI kurorën, që u vesh nga aktori Bujar Asqeriu, ruan të njëjtin shkëlqim si në skenë.. Po kështu dhe manteli i Henri VI, që u interpretua nga Indrit Çobani Pak më tej, në dollapët prej druri që e tregojnë kohën ndodhet një tjetër histori… Palltot e mëdha të zeza, pantallonat me pensa, apo këmishat e bardha të çojnë gati 30 vjet më parë, në atë kohë kur Koralba nuk ishte këtu. Robert Ndrenika, Agim Qirjako i ndjerë, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Naim Frashëri, Lazër Filipi, Prokop Mima, Mihal Stefa, Ndrek Shkjezi, Ndoc Meshkalla, Hasan Reçi kanë lënë gjurmë në këto veshje burrash Pavarësisht viteve, këto pëlhura kanë arritur ti rezistojnë kohës, falë kujdesit që i është bërë Kjo është palltoja e Robert Ndrenikës, – thotë Koralba, duke tërhequr nga varësja një pallto të zezë, të cilën aktori i njohur i skenës e veshi në shfaqjen e Çehovit, nën regjinë e Hervin Çulit gati shtatë vjet më parë. Një kostum me vija të lehta gri, Koralbës i kujton një tjetër aktor të dashur për teatrin, Ndriçim Xhepën. Këtë kostum pak modern për kohën, aktori e ka veshur në shfaqjen Pak më afër, me regji të Kiço Londos më 2006-n. Fustanellat shqiptare të cilat regjisori francez Erik Vinje, i kërkoi kostumografes Anila Zajmi ti krijonte, pasi u frymëzua nga fotot e Marubit më 1900-n, për ti vendosur në Berberi i Seviljes i Bomarshes e trishtojnë Koralbën. Një nga këto kostume që ajo e nxjerr nga moria e veshjeve të kësaj komedie i takojnë aktorit të njohur që u nda nga jeta vetëm disa muaj më parë, Roland Trebickës. Pas ikjes së tij, ajo e ka pasur të vështirë ti shohë këto veshje, ashtu siç ndodh me të gjitha veshjet e aktorëve që nuk jetojnë më. Këto gjurmë të mbetura këtu, në botën e Koralbës shpesh i sjellin ndjesi të trishta. Nën këtë kostum ku dominon e bardha dhe e zeza, Trebicka solli një interpretim që u vlerësua nga kritika e shtatë vite më parë. Të mësuar ta shihnim në role komike, i veshur nën petkun e një personazhi të shekullit XVIII, Trebicka shfaqi një tjetër dimension të tij prej aktori. Të tilla ndjesi sjellin dhe veshjet e Agim Qirjaqit tek Nata e dymbëdhjetë Një rrobdeshamber me fruta të çon në vitet 1990 kur aktorja e ndjerë Violeta Manushi, një nga ikonat e teatrit (100 role në teatër) e ka veshur në komedinë Valsi i Titanikut, e autorit rumun Tudor Musatescu. Veshjet e kësaj komedie, që solli një frymë të re në teatër në fillimet e demokracisë, mbajnë gjurmë dhe të aktorëve të tjerë që kanë interpretuar aty si Roland Trebicka, Roza Anagnosti, Eva Alikaj, Luiza Xhuvani, Ilir Bezhani. Në këtë garderobë ka shumë robdeshamber, ashtu si fustanet.
Dramat klasike kanë gjithnjë personazhe femra që enden në shtëpi të veshur me një robdeshamber të gjatë tepër sensual. Koralba tregon një tjetër robdeshamber të veshur nga aktorja Luiza Xhuvani tek Cilindri i De Filipos me regjisor Kastriot Çipin. Historinë e karrierës së Drita Pelingut mund ta shohësh nga veshjet që ajo ka veshur në vite të ndryshme. Nga fustanet elegante të viteve 1946, kur shkeli për herë të parë në teatër vetëm 20 vjeç. Rolet e saj nga veshjet ngjyrë rozë, plot sharm, duket se kanë qenë role vajzash të dashuruara ose grash me një botë të madhe shpirtërore, me shpërthime të fuqishme Trupi i aktores duket se ka qenë në formë, pavarësisht viteve Fustanet e saj të zhysin në një teatër që nuk do të mbarojë. Koralba të tregon një fustan të hirtë shtëpie, të cilin ajo e ka veshur tek Xhaxha Vanja.
Një mori veshjesh mbajnë role që janë interpretuar nga Luiza Xhuvani. Një fustan i bardhë tepër elegant është veshur nga aktorja te Pulëbardhat e Çehovit. Një fustan i gjatë i kuq, me grykë të mbyllur e mëngë të gjata dallon nga larg mes morisë së veshjeve në gardërobën ku është varur. Ky fustan i denjë për çdo mbrëmje mondane të kohës, është veshur nga aktorja Yllka Mujo te Xhaxha Vanja. Veshjet e roleve në teatër të aktores së njohur janë të gjitha këtu, që nga Orët e Kremlinit te Luiza Miller e Shilerit, Përmbytja e Madhe e Kol Jakovës, Vizita e in