Hita: Operacioni në Athinë, një nga shqiptarët e arrestuar, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore

Policia shqiptare ka pasur shkëmbim informacioni në kohë reale me homologët grekë lidhur me operacionin e zhvilluar në Athinë, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme kokaine dhe u arrestuan disa shtetas shqiptarë.
Drejtuesi i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bëri të ditur se mes të arrestuarve është edhe një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim për llogari të Shqipërisë, i dënuar për vrasje dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Kemi pasur një shkëmbim në kohë reale me homologët grekë. Ata na kanë bërë me dije për një operacion në zonën e Athinës, ku kanë kapur një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, të llojit kokainë, dhe janë arrestuar disa shtetas shqiptarë”, deklaroi Hita.
Ai sqaroi se për shkak të natyrës konfidenciale të informacionit nuk mund të bëhet publik identiteti i personit të arrestuar.
Hita tha se autoritetet shqiptare kanë vijuar veprimet verifikuese dhe hetimet lidhur me shtetasit shqiptarë të përfshirë në aktivitetin kriminal.
“Por ngaqë informacioni është konfidencial, unë nuk mund të bëj me dije emrin atë që ju kërkoni, por ne kemi vazhduar veprimet verifikuese në të gjithë pjesën për sa na takon ne, duke filluar dhe hetimet tona në lidhje me këtë rast për personat shqiptarë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, tha ai.