Hodhi çantën me armë nga muri i banesës sapo pa Policinë, arrestohet 37-vjeçari në Kurbin! Procedohet edhe i vëllai i tij pasi i gjenden ora dhe bizhuteri të shtrenjta

Një 37-vjeçar është arrestuar në Kurbin dhe vëllai i tij është proceduar penalisht. Prangosja e 37-vjeçarit u krye pasi dyshohet se mbante në banesë një çantë me armë zjarri, ndërkohë të vëllait të tij iu gjetën ora dhe bizhuteri të shtrenjta, blerjen e të cilave nuk mund ta justifikonte.
Një 37-vjeçar, shtetasi Leonard Hasani ka rënë në prangat e Policisë në fshatin Gjormë të Kurbinit, pasi mbante në banesë një çantë me armë zjarri dhe municion luftarak.
Përmes një njoftimi, Blutë bëjnë të ditur se 37-vjeçari sapo pa Policinë e hodhi çantën me armë nga muri rrethues i banesës së tij dhe tentoi të largohej me vrap
Veç arrestimit të 37-vjeçarit, Policia procedoi penalisht edhe të vëllanë e tij pasi iu gjetën në automjet, bizhuteri floriri dhe ora dore të markave luksoze, me burime të dyshimta kriminale.
Ndërkohë vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e sendeve me vlerë të sekuestruara, teksa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Lezhë, Kurbin/Finalizohet operacioni i koduar “Risku”.
Sapo konstatoi Policinë, hodhi nga muri rrethues i banesës së tij, në fshatin Gjormë, çantën me armë zjarri dhe municion, dhe tentoi të largohej me vrap, kapet 37-vjeçari.
Procedohet penalisht vëllai i tij, pasi iu gjetën në automjet, bizhuteri floriri dhe ora dore të markave luksoze, me burime të dyshimta kriminale.
Sekuestrohen arma e zjarrit me municion dhe sendet me vlerë.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar në rrugë operative, rreth 2 shtetasve (vëllezër) të dyshuar të implikuar në disa veprimtari kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Risku”.
Në kuadër të operacionit, fillimisht u ndalua për kontroll, automjeti që drejtonte shtetasi E. H. alias E. S.. Në automjet u gjetën bizhuteri floriri dhe 4 ora dore të markave luksoze, burimi i të cilave nuk justifikohet nga shtetasi E. H. alias E. S..
Më pas, u krye kontroll në banesën e këtij shtetasi, në fshatin Gjormë. Sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, vëllai i shtetasit E. H. alias E. S., shtetasi L. H. ka hedhur nga muri rrethues i banesës, një çantë, dhe ka tentuar të largohet me vrap. Shtetasi L. H. u kap, si dhe u gjet çanta, brenda së cilës ishte 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak që posedohej pa leje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi L. H., 37 vjeç, si dhe u procedua penalisht vëllai i tij, shtetasi E. H. alias E. S., 35 vjeç.
Ndërkaq, vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e sendeve me vlerë të sekuestruara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.