E Martë, 3 Nëntor 2026

Hodhi pistoletën nga makina në taracën e lokalit, kapet 23-vjeçari

Një 23-vjeçar nga Burreli është arrestuar nga Policia pasi qarkullonte me armë me vete.

Policia bën me dije se 23-vjeçari A.M., për t’iu shmangur kontrollit të efektivëve ka hedhur pistoletën nga automjeti në taracën e një lokali.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë, municion luftarak,  fitil zjarrpërcjellës dhe një kapsollë detonator.

“Në vijim të kontrolleve të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i Ligjit”, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete, bazuar dhe në inteligjencën informative, shërbimet e Policisë kanë marrë informacion se drejtuesi i një automjeti lëvizte i armatosur, kanë ngritur pika kontrolli  për lokalizimin e mjetit.

Drejtuesi i mjetit kur ka konstatuar pikën e kontrollit, ka hedhur pistoletën nga automjeti i tij,  në taracën e një lokali dhe ka mundur të largohet. Shërbimet e Policisë falë veprimeve të shpejta profesionale kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin,  kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar shtetasi  A.M., 23 vjeç, banues në Burrel”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›