E Hënë, 2 Nëntor 2026

Homazhe për Margarita Xhepën, artistë dhe politikanë: Trashëgimi e përjetshme për Shqipërinë

Personalitete të artit, kulturës e politikës kanë nderuar artisten e madhe të skenës shqiptare, Margarita Xhepa, në homazhet e mbajtura në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka shprehur ngushëllime dhe nderim për ikjen e artistes së madhe Margarita Xhepa, duke theksuar rëndësinë e veprës së saj të paharruar për kulturën dhe artin shqiptar. Ai ka theksuar se, megjithëse ajo u nda fizikisht nga jeta, shoqëria dhe komuniteti i artit dhe kinemasë do ta nderojnë dhe do ta kujtojnë veprën e saj epokale për brezat që do të vijnë.

“Margarita Xhepa la një pasuri të jashtëzakonshme që do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar dhe e trashëguar përmes pasardhësve të saj, të cilët janë gjithashtu krenaria e kombit dhe artit tonë”, ka thënë ai.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka shprehur ngushëllimet në emër të partisë për ndarjen nga jeta të artistes së madhe, duke e cilësuar si një ditë zie për artin shqiptar.

“Në këtë ditë të trishtë, ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen Xhepa dhe nderojmë veprën e paharruar të Margarita Xhepes, e cila është një figurë e pazëvendësueshme për kulturën dhe artin shqiptar”, ka deklaruar Blushi.

Regjisori i njohur Mevlan Shanaj, i njohur për bashkëpunimin e tij me Margarita Xhepën, ka shprehur mirënjohje dhe nderim të thellë për figurën e saj.

“Margarita ishte një njeri që ka marrë vetëm dashuri nga të gjithë. Nuk ka njohur ndonjë fjalë të keqe, vetëm dashuri dhe respekt. Ajo ishte një aktore e jashtëzakonshme, një njeri i madh. Margarita ishte unikale, emri i saj është një sinonim i bukurisë dhe hijes, si një margaritar”, ka përfunduar regjisori.

Nderime për Margarita Xhepën ka kryer edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili u shpreh se artistja e skenës shqiptare do mbetet e gjallë përjetë në kujtesën e artit dhe kulturës.

“Erdhëm të shprehim nderimin tonë më të thellë dhe mirënjohjen e pakufishme për kontributin e jashtëzakonshëm të Margatia Xhepës në 7 dekada, sa askush tjetër në skenën dhe filmin shqiptar. Ajo do mbetet përjetë e gjallë në memorien e atryre që ndoqën me admirim interpretimet e saj.

Do mbetet e gjallë në memorien e artit dhe kulturës shqiptare”, tha Berisha.

Njeri i madh e ka cilësuar aktorja e mirënjohur Tinka Kurti, artisten e ndjerë Margarita Xhepa.

Kurti i është bashkuar personaliteteve të shumta në homazhet ndaj Margarita Xhepës e cila u nda nga jeta ditën e djeshme.

“Për mua ka qenë një njeri i madhnueshëm, për mua dhe për popullin”, tha Tinka Kurti.

Aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa, djali i artistes së ndjerë Margarita Xhepa ka deklaruar se mamaja e tij e mbylli ciklin e jetës në mënyrë krejtësisht normale, ndërsa rrëfeu edhe dëshirën e fundit të saj për të qenë pjesë e një filmi.

Ndriçim Xhepa shprehu ndërkaq edhe emocionet për homazhet dhe nderimet për mamanë e tij.

“Mbylli jetën e saj në mënyrë normale pavarësisht se pati sisa probleme muajt e fundit të karakterit shëndetësor, pulmonit. Se dhe lodhjet e vetë viteve bëjnë të vetën. Ka disa vite që thoshte: ndoshta në skenë nuk kam mundësi më. Kurse te filmi e kishte një ëndërr se mund të bënte një tjetër punë. Roli i fundit që bëri me Spartak Pecanin “Bolero në vilën e pleqve” sikur përkoi dhe me jetën sicc erdhi dhe finalja. Mesa duket kjo ishte dhe perdja e jetës si perdja e skenës. Rëndësi ka që atë që thashë përpara, mënyra si po respektohet sot është kënaqësia më e madhe që mund të marrin familjarët dhe shpirti i saj”, deklaroi aktori.

Margarita Xhepa do të kujtohet gjithmonë si një ndër emrat më të shquar dhe më të dashur në historinë e artit dhe kinematografisë shqiptare. Pasuria e saj artistike do të mbetet përjetësisht e pranishme në zemrat e shikuesve dhe në pasurinë kulturore të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›