Homazhe tek Pallati i Kongreseve në nderim të Arben Tafajt

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Në nderim të kryetarit të shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 63-vjeçare, u zhvilluan sot homazhe në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Miq, të afërm, familjarë kolegë dhe bashkëpunëtorë morën pjesë në homazhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit Tafajt, i cili humbi jetën aksidentalisht ditën e djeshme në shtëpinë e tij.
Në homazhe mori pjesë edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili pas homazheve tha për mediat se shprehu mirënjohjen më të thellë për Arben Tafajn, një qytetar shembullor i Tiranës, një prind, bashkëshort shembullor.
“Një qeveritar vendor i ndershëm, i aftë, kompetent. Një parlamentar i kryeqytetit, i aftë, i ndershëm dhe një përfaqësues dinjitoz i qytetarisë së Tiranës. Një njeri që i kushtoi jetën e vet, veprimtarinë e tij, mbrojtjes së vlerave të kësaj qytetarie dhe ishte pa diskutim një nga përfaqësuesit më dinjitoz të saj”, u shpreh Berisha.
Tafaj ishte zyrtari i zgjedhur me votat e qytetarëve me tre mandate radhazi, si këshilltar bashkiak. Kryetari i njësisë bashkiake nr. 8, karrierën politike e nisi në zgjedhjet e vitit 2003.
Së bashku me disa miq të tij, drejtonte shoqatën “Tirana”, një grupim civil që për gjithë këto vite ka promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe asaj qytetare të qytetit, të cilën e ka shikuar dhe si një instrument për të komunikuar me shoqërinë dhe me organizma të rëndësishme homologe komunitare.
Pikërisht në krye të shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, krijoi profilin e një drejtuesi që mbrojti me forcë vlerat e njerëzve që përfaqësonte.
Homazhe për Arben Tafajn, foto: Agim Dobi 1 nga 5/k.s/