Homazhet, i biri i Servet Pëllumbit: Na mësoi të mos ulim kokën ndaj padrejtësive, të ruajmë dinjitetin

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Me nisjen e ceremonisë shteterore dhe pas mbërritjes se presidentit te republikës dhe kryeministrit Edi Rama, mori fjalën i biri i te ndjerit, ish deputeti Arben Pëllumbi, i cili falënderoi jo vetëm të pranishmit për mbështetjen që i shprehën familjes së tij në këtë moment të vështirë.
Arben Pëllumbi tha se ishte e vështirë të gjente fjalët kur humb një baba.
“Babai ynë nuk ishte thjesht një prind por njeri me vlera të rralla dhe i respektuar nga të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Na mësoi se jeta duhet jetuar me ndershmëri. Të mos ulim kokën përballë padrejtësive e të ruajmë gjithmonë dinjitetin”, tha Arben Pëllumbi, duke e përmbyllur se, ndihej krenar që ishte djali i Servet Pëllumbit, krenar për familjen që ndërtoi, vlerat që la dhe dashurinë pa kushte.
Më tej fjalën e mori miku i hershëm i profesor Servet Pellumbit, Namik Dokle.
Dokle kujtoi rrugëtimin e mundimshëm nëpër vite dhe praninë e përhershme të Servet Pëllumbit, aty ku duhej mençuri, kurajë e largpamësi.
“Të gjithë e njohën dhe pranuan si profesorin e socialistëve. Profesor Servet Pëllumbi ishte protagonist i historisë udhëheqëse të Partisë Socialiste në një kohë të vështirë trazicioni të Shqipërisë”, tha Namik Dokle i emocionuar.
Në ceremoninë që nisi prej orës 09:30 të mëngjesit, kryen homazhe qytetarë, miq, familjarë, bashkëpunëtorë e figurat kryesore të Partisë Socialiste në vite.
Ceremonia shtetërore vijoi me fjalën e kryeministrit dhe kreut të PS, Edi Rama dhe më pas kortezhi me arkëmortin iu drejtuan varrezave të Sharrës, ku prof. Servet Pëllumbi do të prehet në përjetësi.
Homazhet në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, Foto: Andrin Hoxha
Homazhe në nderim të ish-Kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi 1 nga 49