E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoti viziton Autoritetin e Dosjeve, thellohet bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë për dokumentimin e së kaluarës

TIRANË, 3 korrik / ATSH/ Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare i Republikës së Kosovës, Andin Hoti, zhvilloi një vizitë zyrtare në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve për dokumentimin e së kaluarës dhe ruajtjen e kujtesës historike.

Ministri Hoti u prit nga kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, dhe anëtarët e institucionit. Gjatë takimit u prezantua veprimtaria dhe kompetencat e Autoritetit, ndërsa u diskutua mbi rëndësinë e qasjes në dokumentacionin arkivor, dokumentimit të së kaluarës dhe bashkëpunimit institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Në kuadër të vizitës, ministri u njoh me arkivin e Autoritetit dhe proceset e administrimit, ruajtjes, digjitalizimit dhe trajtimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit. Vëmendje e veçantë iu kushtua dokumentacionit që lidhet me Kosovën, si pjesë e fondit arkivor të institucionit.

Përfaqësues të Autoritetit i dorëzuan ministrit dokumentacionin arkivor që disponon mbi veprimtarinë dhe përndjekjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti.

Ministri Andin Hoti vlerësoi rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike, duke theksuar se “kufijtë administrativë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë kufij të historisë sonë kombëtare”. Sipas tij, dokumentimi i së kaluarës është një përgjegjësi ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe brezave që do të vijnë.

Ai shprehu gjithashtu bindjen se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë do të vijojë të thellohet në funksion të forcimit të kujtesës institucionale dhe mbrojtjes së interesit të përbashkët kombëtar.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e vlerësoi vizitën si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për studimin, dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës historike mbarëshqiptare.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›