E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj-Berishës: BE-ja, e ardhmja më e mire e Kosovës dhe Shqipërisë

Tiranë- Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj zhvilloi sot një takim edhe me kryeministrin Berisha ku gjatë bisedës dy zyrtarët e lartë të shteteve përshëndetën arritjet në të gjitha fushat e të dy vendeve që përfaqësojnë.

Në takim u vlerësua intensifikimi i bashkëpunimit frytdhënës mes dy vendeve, në të gjitha fushat i cili po njeh çdo ditë e më shumë nivele të reja, si rezultat i zbatimit të marrëveshjeve të përbashkëta të nënshkruara tashmë dhe atyre që pritet të nënshkruhen në të ardhmen.

Në këtë kontekst, kryeministri Berisha vlerësoi protokollin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë që do të nënshkruhet së shpejti në fushat ekonomike, të arsimit, kulturës dhe turizmit, i cili nëpërmjet vendosjes së standardeve të unifikuara, do të bëjë të mundur eliminimin e pengesave burokratike dhe do të nxisë më tej, rritjen e shkëmbimeve në këto fusha.

Gjatë këtij takimi, Hoxhaj e informoi Berishën lidhur me takimet e zhvilluara mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministrit të Republikës së Serbisë, Ivica Daçiç, duke theksuar se këto bisedime u zhvilluan duke patur në themel Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Paketën Ahtisari.

Berisha u shpreh se ai dhe qeveria shqiptare i kanë përshëndetur zhvillimet e këtyre bisedimeve dhe i mbështesin ato duke theksuar se këto bisedime duhet ti përmbahen dhe respektojnë marrëveshjet ekzistuese të nënshkruara midis dy vendeve.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria drejt integrimit në BE dhe së bashku me kryeministrin Berisha ripohuan se e ardhmja më e mirë e të dy vendeve Kosovës dhe Shqipërisë, por dhe e të gjithë vendeve të rajonit është dhe mbetet integrimi i tyre në Bashkimin Evropian.

/IDEA/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›