E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hoxhalli: Reformë e thellë dhe gjithëpërfshirëse në RTSH, garantojmë autonominë

TIRANË, 30 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Fatjon Hoxhalli deklaroi sot në Kuvend se RTSH ka ndërmarrë hapa konkretë për rimodelimin e institucionit sipas standardeve më të mira evropiane.

Gjatë prezantimit në Kuvend të raportit vjetor të punës të RTSH-së, Hoxhalli vuri theksin tek nisja e një reforme të thellë dhe gjithëpërfshirëse në transmetuesin publik.

“Reforma parashikon një model të ri financimi, indeksimin e tarifës së aparatit televiziv, rishikimin e përqindjes për agjentët mbledhës, si dhe riorganizimin e strukturës dhe portofolit programor”, tha ai.

Sipas tij, element themelor është një model i ri financimi i RTSH-së, që media publike të jetë e pavarur dhe e qëndrueshme.

“Financimi i saj duhet të garantojë autonomi nga ndikimet e papërshtatshme, transparencë në përdorimin e fondeve dhe indeksim të tarifës së aparatit televiziv, i cili është i pandryshuar që nga viti 2011. Vetëm një ndryshim i guximshëm dhe gjithëpërfshirës do të na mundësojë të përgjigjemi ndaj sfidave të shoqërisë shqiptare”, u shpreh Hoxhalli.

Hoxhalli bëri të ditur se në nëntor pritet të mbërrijë misioni i parë teknik i ekspertëve të European Broadcasting Union (EBU), për të ndihmuar në hartimin e një plani konkret veprimi.

“Do të rishikohet përqindja që i jepet agjentit mbledhës të tarifës së aparatit televiziv, aktualisht OSHEE, si dhe do të shqyrtohen forma alternative financimi për të garantuar pavarësinë ekonomike të transmetuesit publik. Ndërsa reforma do të prekë strukturën e brendshme të institucionit, përmes rikonceptimit të organigramës, numrit të punonjësve dhe flukseve të punës”, shtoi ai.

Hoxhalli theksoi se modeli i ri parashikon rihartimin e portofolit programor, duke reduktuar numrin e kanaleve televizive nga 16 aktualisht dhe duke integruar televizionin, radion dhe platformën online në një produkt mediatik të unifikuar që aktualisht mbulon 95% të territorit dhe 80% të popullatës.

Ai vuri në dukje se në qendër të këtij procesi transformimi është teknologjia.

Hoxhalli theksoi se rrjeti i transmetimit të RTSH-së ka ruajtur një shkallë disponueshmërie sinjali prej 99,92%, duke garantuar ndjekjen pa ndërprerje të ngjarjeve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare një tregues ky i qëndrueshmërisë teknike dhe besueshmërisë së institucionit. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›