Hugo Çavez është në prag të vdekjes?
Ka shumë raportime kontradiktore këto ditë për shëndetin e presidentit të Venezuelës, Hugo Çavez, që duhet të betohet pas një jave pasi ka rifituar një tjetër mandat.
Ai është kuruar për kancer në Kubë, ndërkohë që zyrtarët e tij thonë se janë optimistë për shëndetin e tij.
Por një gazetë spanjolle, që citon burime nga spitali në Kubë, shkruan se Çavez është në koma dhe po mbahet në jetë në mënyrë artificiale.
Sipas kësaj gazete, presidenti venezuelian tregon shenja shumë të dobëta jete, ndërkohë që doktorët mund të vendosin nga momenti në moment të fikin aparatin që e mban në jetë.
Pasi thashethemet për shëndetin e tij u shtuan shumë, zëvendëspresidenti i Venezuelës deklaroi se gjendja e tij shëndetësore është delikate.
Ai nuk tha asnjë informacion tjetër shtesë për shëndetin e tij.
Çavez është operuar më 11 dhjetor dhe që prej atëherë nuk ka pasur raportime korrekte për shëndetin e tij. Të dielën u tha se ai ka një infeksion në rrugët e frymëmarrjes.
Presidenti Çavez është operuar disa herë nga kanceri në legen, por vetëm dy muaj pasi rifitoi zgjedhjet, ai u deklaroi venezuelianëve se kanceri është rikthyer.
Ai duhet të inaugurohet më 10 janar. Në rast se vdes ose nuk është i aftë të bëjë detyrën, vendi shkon në zgjedhje brenda 30 ditësh.