E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbën jetën tragjikisht në Itali, trupat e katër pjesëtarëve të familjes Kola nisen drejt Shqipërisë

Katër pjesëtarët e familjes Kola, të cilët humbën tragjikisht jetën disa ditë më parë në Porcari, Itali, u nisën drejt Shqipërisë, ku do të prehen në fshatin e tyre, Gryksh i Madh, Peqin.

Kryefamiljari Arti Kola, bashkëshortja e tij Jonida Kola dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar dhe Xhesika, 22 dhe 15 vjeç, ndërruan jetë më 4 shkurt në shtëpinë e tyre si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit, i shkaktuar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi.

Trupat janë nënshtruar analizave toksikologjike në Itali, ndërsa tashmë është mundësuar kthimi i tyre në Shqipëri. Për transportin e trupave, vëllai i Artit, Durim Kola, hapi një fushatë GoFundMe, e cila brenda dy ditësh mblodhi mbi 75 mijë euro.

Banesa ishte pronë e Artit, blerë rreth tre vite më parë dhe restauruar pjesërisht nga vetë ai, i cili ishte piktor me profesion. Djali i vetëm, 22 vjeç, punonte si elektriçist.

Mësohet se ceremonia e varrimit do të mbahet nesër në orën 13:00, ndërsa trupat e tyre do të prehen në varrezat e fshatit.

LEXO EDHE: “Na mungon që tani”/ Shokët e klasës i bëjnë homazhe Xhesikës, prokuroria urdhëron autopsinë e familjes shqiptare që u shua në Itali

Ngjarja tronditi jo vetëm komunitetin shqiptar në Itali, por edhe mbarë opinionin publik në Shqipëri.

Sipas autoriteteve italiane, dyshohet se shkaku i tragjedisë ishte rrjedhja e monoksidit të karbonit nga një kaldajë e re, e sapo instaluar nga pronari shqiptar i banesës.

Prokuroria e Luccas vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së katër anëtarëve të së njëjtës familje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›