Humbën kontaktin me familjarët, Policia ndihmon babanë me 2 fëmijët që lundronin me kanoe në liqenin e Pogradecit

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare e Pogradecit i shkuan në ndihmë një shtetasi dhe dy fëmijëve të tij të mitur, që kishin dalë me kanoe në liqen sot në mesditë, kur humbën kontaktet me familjarët e tjerë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, rreth orës 12:45, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Pogradec, ka mbërritur një telefonatë, ku një shtetase kërkonte ndihmë, pasi bashkëshorti i saj shtetasi Gj. R., së bashku me dy fëmijët e tyre të mitur, kishin dalë në liqen me një mjet lundrues kanoe, dhe kishin humbur kontaktet.
Menjëherë shërbimet e Njësisë Policore Detare me Jet Ski, dolën në liqen, ku bënë të mundur lokalizimin e kanoes me tre shtetasit larg perimetrit të sigurisë, dhe siguruan kthimin në breg të tyre pa probleme. “Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detate janë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve dhe në këtë kuadër fton qytetarët që në rast nevoje të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit./r.e/