Humbëset e revolucionit

Atë ditë, kur Azza Helal Suleiman u shndërrua në heroinë, ajo pësoi lëndime tejet të rënda. “Ajo do të vdes”, deklaruan mjekët.
Ishte 18 dhjetori i vitit 2011, Azza Helal Suleiman kishte shkuar në sheshin Tahrir, me një grup të miqve. “Ushtarët filluan të na ndjekin, ndërsa ne vrapuam”, rrëfen ajo.
Më pas ajo e pa vajzën. E njohu atë, siç i ka njohur edhe fytyrat e njerëzve tjerë, me të cilët për muaj të tërë qëndroi në shesh për të protestuar, fillimisht kundër diktatorit Hosni Mubarak, e më pas edhe kundër pushtetit ushtarak.
Ushtarët filluan ta tërheqin vajzën zvarrë dhe filluan ta shkelmojnë, duke ja shqyer teshat në trup.
Azza Helal Suleiman nuk ngurroi për asnjë moment, vrapoi për ta mbrojtur vajzën. “Pse po e bëni këtë?”, klithi ajo. Disa qaste më vonë, edhe ajo u rrëzua për toke. Ushtarët filluan ta rrahin dhe ta shqelmojnë.
Sikur edhe Azza, me mijëra egjiptiane vitin e kaluar u larguan nga vendet e tyre të punës apo lanë prapa obligimet e tyre si amvise, për t’u bërë pjesë e revolucionit.
Ato protestuan në sheshin Tahrir, përkrah meshkujve. Disa prej tyre vdiqën si martire.
Por një vit më vonë, duket se femrat janë humbëset më të mëdha të revolucionit.
Dhuna kundër protestueseve në sheshin Tahrir ka shokuar botën. Kishte sulme ndaj gazetareve apo poshtërim publik të femrave, siç ishte për shembull testi i virgjërisë, të cilin ushtria e ndërmori tek 17 femra.
Pas zgjedhjeve të para të lira, femrat u margjinalizuan edhe në politikë. 98 për qind të deputetëve në parlamentin e ri të zgjedhur janë meshkuj, ndërsa vetëm dy për qind janë femra. Rregulla për kuotë, sipas të cilës së paku 12 për qind të parlamentarëve duhet të jenë femra, u shfuqizua nga regjimi ushtarak para zgjedhjeve.
“Dëshirojnë të mbajnë femrat larg nga pushteti. Kjo vlen si për regjimin ushtarak, ashtu edhe për islamistët”, thotë Naval Al Sadavi, feministja më e njohur në Egjipt.
Forcat liberale nuk arritën sukses në zgjedhje, të cilat i fitoi Vëllazëria Myslimane, ndërsa si forcë e dytë u rreshtua partia Nour e salafistëve. Së bashku, këto dy parti kanë fituar 70 për qind të mandateve. Përderisa salafistët janë të mendimit se femrat nuk duhet të luajnë asnjë rol në jetën publike, Vëllazëria Myslimane së paku ka një organizatë të femrave, Motrat Myslimane.
Arva Al Tavil, 21 vjeç, deri para pak muajve ka qenë edhe vetë anëtare e Motrave Myslimane. Ajo bënte propagandë në internet për Vëllazërinë Myslimane, ëndërronte që të merrej me politikë dhe që një ditë të hynte në parlament.
“Pak kohë pas revolucionit jam larguar”, rrëfen kjo femër e re, e cila bartë shami. Ajo nuk dëshiron të kritikojë Vëllazërinë Myslimane. Megjithatë, Arva Al Tavil është e dëshpëruar. Dhe ajo nuk është e vetmja: shumë egjiptiane të reja janë larguar pas revolucionit nga radhët e Motrave Myslimane.
“Në politikë nuk ka rregulla. Njerëzit tradhtojnë parimet e tyre”, mendon Tavil.
Kur një lëvizje kalon nga opozita në pozitë, ajo fillon të shpalosë kundërthëniet e saj. Kjo në periudhën afatgjatë mund të dobësojë krahun konservator të Vëllazërisë.
Po ushtria? Ajo reagoi me dhunë dhe poshtërim seksual, kur femrat u shndërruan në element qendror të revolucionit.
Një nga viktimat e testit të virgjërisë, Samira Ibrahim, paraqiti rastin në gjykatë dhe foli publikisht për përvojën e saj. Një gjeneral nga radhët e Këshillit Ushtarak u detyrua të kërkojë publikisht falje për këtë rast. Në dhjetor, një gjykatë në Kajro e cilësoi testin e virgjërisë si një praktikë ilegale.
Në Egjiptin e vitit 2012 ekzistojnë tri forca: ushtria, islamistët dhe revolucioni. Asnjëra prej tyre nuk ka aktualisht fuqinë, për të ushtruar pushtet ndaj tjerëve.
Por nga pasojat e destabilizimit të vendit po vuan ekonomia e Egjiptit. Megjithatë, Sadavi është optimiste për të ardhmen.
Ajo ka ri-themeluar Unionin e Femrave të Egjiptit, organizatë kjo që ishte e ndaluar gjatë kohës së Mubarakut.
“Nuk ekziston momenti i papërshtatshëm për të luftuar për të drejtat e femrave. Femrat përbëjnë 50 për qind të popullatës në Egjipt. Pa femra nuk ka demokraci”, thotë ajo.
Azza Helal Suleiman, e cila u rrah brutalisht dhe për të cilën mjekët theksuan se do të vdes, nuk ka vdekur. Xhirimi, në të cilin ajo shihet duke ndihmuar vajzën e rrahur nga ushtarët, qarkulloi në gjithë botën. Azza Suleiman ishte tejet krenare.
Ajo është e bindur:”Askush nuk mund të na marr revolucionin. Ai ka ndodhur edhe në brendinë tonë”. (Der Spiegel)