E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hungari – Rreth 100 mijë veta marshojnë në Paradën e Krenarisë pavarësisht kufizimeve të qeverisë Orban

Rreth 100 mijë qytetarë dhe mbështetës të kauzës LGBT sfiduan hapur të shtunën qeverinë e kryeministrit Viktor Orban dhe policinë hungareze, duke marshuar në paradën vjetore të komunitetit.

Marshimi në Budapest u krye megjithëse policia kishte paralajmëruar se do të ndërhynte dhe do t’i gjobiste pjesëmarrësit e Paradës së 30-të të Krenarisë të mbajtur në Hungari, në zbatim të një ligji që partia qeverisëse miratoi në muajin mars. Marshimi filloi nga bashkia e kryeqytetit deri në qendër, por policia e devijoi turmën për të evituar përplasjen e tyre të mundshme me një grup protestuesish kundër komunitetit LGBT.

Disa nga pjesëmarrësit thanë se marshimi nuk ishte vetëm për të mbrojtur të drejtat themelore të pakicave seksuale, por edhe për t’i dalë kundër politikave të ashpra të kryeministrit Orban ndaj komunitetit.

Ligji i muajit mars e ndalon pjesëmarrjen në evente që “promovojnë” homoseksualitetin tek të rinjtë nën 18 vjeç. Në kuadër të legjislacionit të ri janë parashikuar gjoba deri në 200 mijë forinta hungareze (586 dollarë) dhe shkelësit mund të identifikohen nëpërmjet kamerave inteligjente që njohin fytyrat e personave, të instaluara nëpër qytet përpara marshimit.

Policia e kishte refuzuar vazhdimisht kërkesën e organizatorëve për paradën e kësaj fundjave, por kryebashkiaku i Budapestit, Gergely Karacsony, njoftoi se ajo do të mbahej si një aktivitet i bashkisë, pra, që nuk kishte nevojë për miratimin e policisë. Ministri i Drejtësisë e paralajmëroi kryebashkiakun Karacsony se organizimi ose inkurajimi i njerëzve për të marrë pjesë në të mund të dënohej me një vit burg.

Në marashimin e së shtunës raportohet se morën pjesë edhe më shumë se 70 anëtarë të Parlamentit Europian, si dhe zyrtarë të tjerë europianë. /AP

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›