E Diel, 1 Nëntor 2026

Huthit pretendojnë se kanë sulmuar anije saudite, 4 të vrarë në Jemen –

Rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë pretenduar se kanë shënjestruar një anije saudite dhe katër anije përcjellëse në Detin e Kuq.

Lajmi është bërë i ditur më 17 gusht nga zëdhënësi ushtarak i grupit, Yahya Saree, i cili përmes rrjeteve sociale deklaroi se anija saudite ishte goditur me raketa nga zona e Moçës, në bregun e Jemenit.

Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga autoritetet saudite lidhur me pretendimin e rebelëve jemenas.

Ndërkohë, duke iu referuar mediave lokale, “Al Jazeera” raportoi se katër persona janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur në sulmet e fundit të Huthive në qytetet jemenase të Maribit dhe Moçës.

Sipas autoriteteve lokale, gjashtë raketa balistike dhe katër dronë goditën Maribin, duke plagosur katër persona. Ndërkohë, qyteti portual i Moçës raportohet se është shënjestruar nga Huthit edhe gjatë ditëve të fundit.

Më herët, gjashtë persona, mes tyre tre shtetas pakistanezë, u raportuan të vrarë dhe 10 të tjerë të plagosur pas një sulmi të Huthive ndaj një anijeje mallrash pranë Moçës, në Detin e Kuq.

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar në javët e fundit. Muajin e kaluar, rebelët Huthi njoftuan se do të vendosnin një bllokadë ndaj porteve saudite.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›