E Shtunë, 31 Tetor 2026

Huthitë godasin Arabinë Saudite/ 73 të plagosur, flakët përfshijnë objekte energjetike

Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar sërish pas një vale sulmesh të Huthive të Jemenit ndaj Arabisë Saudite.

Të paktën 73 persona janë plagosur në disa qytete në jug të vendit, ndërsa sulmet kanë shkaktuar edhe zjarre në disa objekte të energjisë.

Autoritetet saudite kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe për garantimin e sigurisë së impianteve.

Sulmet prekën qytetet Abha, Khamis Mushait, Jazan dhe Najran. Sipas koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, objektivi ishte infrastruktura civile dhe ekonomike në këto zona. Mes të plagosurve ka edhe gra dhe fëmijë.

Në disa objekte energjetike shpërthyen zjarre pas sulmeve. Ministria saudite e Energjisë bëri të ditur se operacionet në disa prej këtyre impianteve u ndërprenë përkohësisht, ndërsa ekipet e emergjencës u dërguan në terren për të kontrolluar situatën.

Huthitë, të mbështetur nga Irani, kanë marrë përgjegjësinë për sulmet dhe kanë paralajmëruar operacione të tjera brenda territorit saudit. Grupi e lidh ofensivën me veprimet ushtarake saudite në Jemen dhe e paraqet atë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ndaj forcave të tij.

Arabia Saudite ka dënuar sulmet ndaj zonave civile dhe objekteve ekonomike. Koalicioni saudit ka bërë të ditur se do të marrë masa për t’iu përgjigjur asaj që e cilëson si agresion të Huthive.

Sulmet vijnë në një moment kur tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm edhe për shkak të përplasjes mes SHBA-së dhe Iranit. Në të njëjtën kohë, trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është ngadalësuar dhe shqetësimet për furnizimet globale me naftë kanë shtuar presionin në tregje.

Çmimi i naftës Brent u rrit në rreth 98 dollarë për fuçi, ndërsa WTI kaloi 93 dollarët, pasi tregjet reaguan ndaj rrezikut të ndërprerjeve të mëtejshme të furnizimit nga Lindja e Mesme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›