E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hyn sot në fuqi marrëveshja Britani-Francë për kthimin e emigrantëve

Hyn sot në fuqi marrëveshja e re për migrantët mes Francës dhe Britanisë, ndërsa ndalimet e para pritet të nisin deri në fund të kësaj jave.

Skema pilot “një brenda, një jashtë”, e nënshkruar një javë më parë dhe e miratuar nga Komisioni Evropian, i jep të drejtë Britanisë të kthejë në Francë disa prej migrantëve që kanë kaluar Kanalin me mjete të vogla dhe në këmbim, Mbretëria e Bashkuar do të pranojë të njëjtin numër azilkërkuesish që kanë lidhje të verifikuara me vendin.

Gjatë shpalljes së marrëveshjes muajin e kaluar në Londër, Kryeministrit britanik Sir Keir Starmer dhe Presidentit francez Emmanuel Macron e përshëndetën si një “hap të rëndësishëm” në bashkëpunimin për çështjet e emigracionit.

Skema do të lejojë ndalimin e menjëhershëm të personave që mbërrijnë me varka të vogla, duke liruar hapësirë në qendrat e largimit të imigracionit për përpunimin e mëtejshëm të rasteve.

Edhe pse ende nuk është bërë e ditur numri i saktë i kthimeve javore, raportimet fillestare sugjerojnë se do të kthehen rreth 50 persona në javë sipas skemës.

Sipas kushteve të marrëveshjes, të rriturit që mbërrijnë në mënyrë të paligjshme do të përballen me kthim në Francë nëse kërkesa e tyre për azil konsiderohet e papranueshme.

Në të njëjtën kohë, Britania do të pranojë një numër të barabartë migrantësh përmes një rruge të re ligjore, me kusht që ata të mos kenë tentuar kalim të paligjshëm më parë dhe t’i nënshtrohen kontrolleve të rrepta të dokumentacionit dhe sigurisë.

Skema pilot është planifikuar të zgjasë deri në qershor 2026, me mundësinë e zgjatjes përmes një marrëveshjeje afatgjatë.

Qëllimi kryesor i marrëveshjes është të dekurajojë kalimet ilegale përmes Kanalit, duke i bërë azilkërkuesit të hezitojnë të rrezikojnë jetën dhe të shpenzojnë para për kontrabandistët.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›