E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hyri me gomone pranë pushuesve në Dhërmi, gjobitet me 500 mijë lekë

Policia Kufitare ka ndëshkuar me 500 mijë lekë të rinj drejtuesin e një mjeti lundrues në Dhërmi, pasi shkeli perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve që ndodheshin në plazh.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare të DVKM Vlorë kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare Vlorë-Ksamil.

Gjatë patrullimit, efektivët morën njoftim nga pushuesit se një gomone kishte hyrë shumë pranë bregut në zonën e Dhërmiut, duke krijuar rrezik për personat që po pushonin në det.

Ngjarja ishte filmuar nga qytetarët dhe pamjet u publikuan edhe në portalin JOQ. Menjëherë pas denoncimit, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi dhe Njësia Policore Detare ndërhynë dhe konstatuan mjetin lundrues me drejtues shtetasin F. D.

Në përfundim të procedurave administrative, ndaj drejtuesit të gomones u vendos masa administrative prej 500.000 lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua. a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›