E Diel, 1 Nëntor 2026

Hysi: Nuk duhet të themi, skemi dramaturgji

Gazeta Shqip

Drama e shkruar më 1994 e dramaturgut Ferdinand Hysi, Tri mendje në ankand, rikthehet në skenë nën regjinë e Elma Dorezit

Drama e Ferdinand Hysit Ishte viti 1994, kur Ferdinand Hysi nisi të shkruante Tri mendje në ankand. I frymëzuar nga ajo çfarë po ndodhte në Shqipërinë postkomuniste, ku realitete të reja nxirrnin në pah kaosin social dhe politik, ai krijoi tre personazhet që sot më shumë se një dekadë më pas, janë aktualë…Teatri është ai që i mbijeton kohës dhe që e reflekton atë. Kjo është një thënie ku besojnë të gjithë ata që jetojnë me teatrin. Personazhet e Hysit të trishtojnë me fatin e tyre, por në fund të fundit ata janë një reflektim jo vetëm i së shkuarës por dhe së sotmes. Në qendër të dramës janë tre të çmendur që duan të zënë vrimat në muret e psikiatrisë së tyre. Në jetën që kanë pasur para se të vijnë në çmendi, ata kanë qenë intelektualë, por tashmë fati i ka sjellë në çmendi. Gjithçka për ta është o majtas, o djathtas. I treti që mendon se nuk ka bindje majtas-djathtas në fakt përpiqet ti kënaqë që të dy. Në debatin se si do ti mbyllin vrimat e çatisë, shfaqet një zonjë e huaj amerikane e shoqatës Zoti e do psikiatrinë, e cila mundohet ti ndihmojë me këshilla. Mes tyre është dhe një e çmendur tjetër me emrin Popi, që ata i thonë populli, dhe në fakt në mendimin tim, atë përfaqëson. Është një personazh që nuk flet, por vuan atë që bëjnë të tjerët në kurriz të saj. Edhe sanitarja që ju shërben, brenda çmendurisë së tyre mundohet ti ndihmojë që ti zënë këto pika. D

Ferdinand Hysi

he sarkazma qëndron në faktin që këto pika ata mundohen ti zënë me çadra të çara dhe oturakë për të mbledhur pikat, rrëfen me pak fjalë Hysi subjektin e dramës. E gjithë drama është një simbolikë. Kjo psikiatri që pikon është realiteti, unë dhe këta që duan ti zënë këto pika janë përsëri realiteti ynë. Zonja amerikane përfaqëson ato dhjetëra fondacione të huaja që vijnë në Shqipëri dhe nuk dihet se çfarë bëjnë. Por nuk është një dramë politike. Nuk kam pasur si qëllim që dramat ti shërbejnë një periudhe, një epoke apo një grupi njerëzish. Ajo përgjithëson një fenomen dhe e trajton atë simbolikisht, thotë Hysi. Drama është ngjitur për herë të parë në skenën e Teatrit të Vlorës, 19 vjet më parë. Në vitin 1996 ajo u ngjit në skenën e Teatrit Skampa të Elbasanit. Tashmë ajo do të kthehet sërish, por këtë herë në skenën e Teatrit të Metropolit nën regjinë e Elma Dorezit. Duke e parë në prova, dialogët shfaqin një realitet që duket se nuk ka ndryshuar që nga koha kur Hysi e shkroi në vitin 1994. Në rolet e tre personazheve të çmendur në premierën e parë të kësaj drame ishin aktorët Bujar Asqeriu, Kristaq Skrami dhe Vasillaq Godo. Në premierën që do të shfaqet në Teatrin e Metropolit, tre personazhet kryesorë do të interpretohen nga aktorët e rinj Devis Muka, Klodian Hoxha dhe Alban Musa. Tri mendje në ankand është përzgjedhur për tu bërë pjesë e një katalogu të Konventës Europiane të Teatrove (European Theatre Convention), që përfshin dramaturgët më të mirë të Europës. Në listën e 119 dramave që u prezantohen skenave më prestigjioze të teatrove në Europë është edhe komedia e zezë Tri mendje në ankand. Në këtë botim, çdo dramë shoqërohet me një sinops në anglisht dhe frëngjisht. Përveç Tri mendje në ankand, pjesë e këtij botimi janë dhe dy drama të tjera shqiptare Delirium me autor Arben Iliazin dhe Kostandini i Madh me autor Agim Shehun. Dramaturgu Ferdinand Hysi e sheh këtë përzgjedhje si një mundësi e mirë që drama e tij të mund të depërtojë edhe në skenat europiane.

Hysi i përket atij brezi dramaturgësh që besojnë se teatri duhet të reflektojë realitetin. Dhe pse flitet shumë për një krizë të dramaturgjisë shqipe, ai beson se kjo dramaturgji nuk ka vdekur, dhe një pjesë e mirë e saj fle sirtarëve të dramaturgëve ashtu si për gati 20 vjet ka fjetur kjo vepër. Besoj te dramaturgjia e sotme, jo vetëm për faktin që shkruaj vetë, por duam apo nuk duam është një realitet që as nuk duhet mohuar por edhe as kaluar me termin nuk kemi dramaturgji!. Ajo është pavarësisht nivelit. Fjala është që duhet të luftojmë në të gjitha drejtimet që ajo të zhvillohet dhe të ecë përpara.

Kur them këtë, e kam më shumë për të rinjtë, sepse pa inkurajuar ata dhe dramaturgjinë e tyre nuk kemi të ardhme, po kështu dhe e tashmja është e rrezikuar, thotë Hysi. Për të ka ardhur koha që teatri ti afrohet më shumë dramaturgjisë shqipe, pasi vetëm kështu drama shqipe mund të ecë me gjithë vështirësitë e saj.

Gjuha e simbolikës

Dramat e shkruara nga Hysi dallojnë për nga gjuha e simbolikës së përdorur në të. Tri mendje në ankand është një dramë e cila është ndërtuar mbi simbolikën. Më pëlqen të shprehem përmes simbolikës, duke përdorur ironinë dhe sarkazmën, për të thënë të vërtetat që shqetësojnë shoqërinë tonë, thotë ai. Dhe pse frymëzohet nga realiteti, ai mundohet të shmangë emrat konkretë apo ngjarjet konkrete për ti sjellë në versionin real në vepër. Në dramat e tij është e vështirë të gjesh një personazh me një emër. Ata mund të quhen i pari, i dyti, Po, prostitutë, Ai, ajo, etj. Natyrisht që unë marr shkas nga realiteti për të shkruar një vepër, por duke shkruar, ky realitet përgjithësohet në mënyrë që të zgjatet jetëgjatësia e asaj çfarë kam shkruar, thotë Hysi. Përmes simbolikës ka folur dhe tek drama Shpirti i ujkut, apo Testamenti.

Hysi: Nuk duhet të themi, skemi dramaturgji burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›