E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

I akuzuar për fshehje pasurie/ Caktohet data, ja kur vendos gjykata për kalimin ose jo të dosjes ndaj deputetit të PD Asllan Dogjani

Përfundon seanca paraprake për kalimin ose jo për gjykim të dosjes ndaj deputetit demokrat Asllan Dogjani, që akuzohet për fshehje pasurie. Gjykata e Posaçme do të vendosë më 22 Janar mbi kërkesën e SPAK nëse do e kalojë dosjen ose jo për gjykim.

Sipas SPAK, Dogjani ka blerë një apartament në kryeqytet me para kesh në vlerën e 122 mijë eurove, por nuk e ka deklaruar këtë shumë parash. Nga hetimi ka rezultuar se deputeti demokrat ka deklaruar në ILDKPI se ka përfituar apartamentin përmes shërbimeve dhe konsulencave jurdike që i ka ofruar firmës së ndërtimit gjatë kohës që ka punuar si avokat.

Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe prej 128.4 m2 që ndodhet në zonën e njohur si ish-stacioni i trenit në kryeqytet.

Por gjatë hetimeve dhe dokumentave të administruara nga SPAK është zbuluar një tjetër kontratë që mban datën 6 shtator të 2006-t për blerjen e këtij apartamenti mes Dogjanit dhe kompanisë së ndërtimit ku rezulton se deputeti ka paguar apartamentin me para cash, ndryshe nga sa ka deklaruar më herët./abcnews.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›