E Diel, 1 Nëntor 2026

I arrestuari dëmtoi kamerën dhe orenditë në komisariatin e Sarandës, pezullohen tre efektivë

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Policia e Vlorës njoftoi sot se tre punonjës policie janë pezulluar nga detyra pasi një i arrestuar në komisariatin e Sarandës dëmtoi kamerat e sigurisë dhe disa orendi brenda komisariatit.

Policia sqaroi se shtetasi D. S., i arrestuar në zbatim të një vendimi gjykate, për disa veprat penale, gjatë qëndrimit në ambientet e dhomave të ndalimit, ka shfaqur shenja të një gjendjeje të rënduar emocionale dhe sjellje agresive, duke dëmtuar një kamerë sigurie, tavanin e dhomës, si dhe një karrige e një tavolinë.

Sipas policisë, për rastin është njoftuar menjëherë urgjenca e spitalit dhe shtetasi D. S, ka marrë ndihmën mjekësore.

Gjithashtu, paralelisht është njoftuar Prokuroria dhe janë kryer të gjitha veprimet procedurale përkatëse.

Njëkohësisht, policia bëri me dije se në kuadër të verifikimit të plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësive eventuale, janë pezulluar nga detyra tre punonjës policie, të cilët nuk kanë reaguar kur shtetasi D. S. ka dëmtuar kamerën dhe orenditë në dhomën e ndalimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vijon verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe marrjen e masave përkatëse, në përputhje me ligjin, në bashkëpunim me Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë ecurinë disiplinore për tre punonjësit e policisë tashmë të pezulluar.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›