I biri iu vra nga shoku, flet babai i Branko Shkozës: Autori ishte agresiv, dhunonte fëmijët dhe gruan! Habibi: Nuk doja ta vrisja, jam penduar

Një krim i rëndë u zbulua ditën e djeshme nga policia e Durrësit. Majlind Habibi 35 vjeç, pas një konflikti me 33-vjeçarin Branko Shkoza, e ka shtyrë këtë të fundit në një kalan të ujërave të zeza. Si pasojë 33-vjeçari Shkoza humbi jetën.
Babai i Brankos, i cili denoncoi zhdukjen e të birit tregon për mediat se çfarë i ka autori pasi kishte kryer krimin.
“E pyeta autorin, ‘ka humb djali’, më pa shtrembër dhe iku. Ditë e natë rrinin bashkë. Fillova të marr të dhëna që kishin bërë llafe. Nuk e di pse ishin grindur. Më pas dëgjuam ‘më ka ngacmuar gruan’. Autori ka qenë agresiv, rrihte fëmijët e vet, ka gjëmuar gruan e vet me sëpatë. Kjo më ka shtyrë, mendova një agresiv mund të bëjë çdo gjë”, deklaroi babai i viktimës.
Ndërsa Majlind Habibi, 35-vjeçari i cili dyshohet se ka shtyrë qëllimisht duke e hedhur në kanalin e ujërave të zeza në zonën e Spitallës 33-vjeçarin Branko Shkoza (lagja 15 ku edhe të dy janë banorë të së njëjtës lagje), ka pranuar krimin dhe ka dhënë detaje për hetuesit e policisë edhe rreth motivit të ngjarjes.
“Shkak për sherrin u bë fakti se më kishte ngacmuar gruan. Unë nuk doja ta vrisja. Po në një moment e shtyva. Nuk kisha për qëllim që ta vrisja. I kërkova të mos më ngacmonte më bashkëshorten. Ai mu përgjigj shumë keq, më ofendoi. Më tha ‘shiko bëj ndonjë punë tjetër se i zgjidh vetë hallet gruaja jote’. Në këtë moment mu errësuan sytë dhe nuk mendova gjatë. E shtyva dhe ai përfundoi në kanal. Unë më pas u largova në shtëpi dhe e lashë aty. Nuk mendova se kishte vdekur, thash më vete se do ngrihet prapë se në ujë ra. Ditën e dytë mësova se nuk kishte shkuar në shtëpi. Shkova sërish ditën e dytë te vendi ku u përleshëm, e pash që trupi i tij ishte spostuar disa metra nga vendi. Nuk kisha guxim të tregoja se çfarë kishte ndodhur. Më kapi paniku. Kur e gjetën trupin e tij dhe e mori policia dhe ambulanca thashë nuk kanë për ta kuptuar, por do mendojnë se ka rënë vetë se edhe pinte alkool. Jam penduar shumë, por nuk i kisha asnjë borxh. Më kishte rënë në qafë”, mësohet të ketë deklaruar para hetuesve të policisë 35-vjeçari pas arrestimit
Si u zbulua krimi?!
Kamerat e sigurisë të disa bizneseve në zonën që ndodhi ngjarja kanë zbuluar krimin e rëndë në Durrës.
Policia e Durrësit, pavarësisht se nuk gjeti prova dhe as shenja dhune në trupin e 33-vjeçarit që të mendonte se kishim të bënim me një krim, vijoi hetimet.
Me urdhër të prokurorit të gatshëm, hetuesit e sektorit të krimeve dhe ata të policisë gjyqësore u rikthyen në vendin e ngjarjes.
Fillimisht kanë marrë në pyetje disa banorë të zonës të cilët frekuentojnë baret aty pranë. Këta të fundit kanë konfirmuar se i kishin parë Majlind Habibin dhe Branko Shkozën të shoqëruar në zonë ditën e ngjarjes me datë 02.12.2024.
Më pas kanë sekuestruar disa filmime të kamerave të sigurisë të disa bizneseve në zonë, ku nga këqyrja e tyre konfirmuan deklaratat e banorëve se i kishin parë të shoqëruar me njëri-tjetrin, autorin dhe viktimën.
Në këto momente, hetuesit kanë shkuar në banesën e Habibit për ta marrë në pyetje. Fillimisht ai u ka thënë se nuk e njihte fare 33-vjeçarin dhe as që e kishte parë fare atë ditë.
Por, më pas, pasi e përballën me pamjet e fiksuara nga kamerat që dukeshin qartë që shoqëroheshin me njëri-tjetrin, Habibi ka pranuar të bashkëpunojë me policinë.
Fillimisht ka pranuar krimin dhe më pas ka dhënë edhe motivin, ku, sipas tij, viktima i kishte ngacmuar bashkëshorten dhe kjo e fundit i ishte ankuar shpeshherë se 33-vjeçari e bezdiste sa herë që dilte nga shtëpia e saj./vizionplus.tv