I dënuar me 4 vite burg për kultivim kanabis, arrestohet në Spanjë Lutfi Xeka

Një 34-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kultivim kanabisi është arrestuar në Spanjë. Policia bën me dije se në pranga ka rënë Lutfi Xeka, i cili është dënuar me 4 vjet burgim nga Gjykata e Krujës, si bashkautor i 3 rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, të kryera gjatë vitit 2019.
“Në vijim të operacioneve policore të njëpasnjëshme, me partnerët spanjollë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, nga autoritetet në Shqipëri. Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, ka mundësuar finalizimin në Spanjë, të operacionit policor të koduar “Four”. Gjatë operacionit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit Lutfi Xeka, 34 vjeç”, njofton Policia.
Vijon puna për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
/rtsh.al/