E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dënuari i sëmurë në grevë, e rrahën

Eshtë kthyer në dhunë përpjekja e një të burgosuri për të mos ndryshuar qelinë në Burgun e Burrelit, në të cilën merrte mjekime për diabetin. 

Fatos Mahmutaj

Burime nga ky burg pohojnë se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ndërsa autoritetet policore i kishin kërkuar të burgosurit Avni Lezaj të ndryshonte qelinë pasi në të do mbyllej një i burgosur tjetër që mësohet se bën pjesë tek personazhet VIP që mbahen në këtë institucion. Ky ka kundërshtuar duke pretenduar se vuante nga diabeti prej shumë vitesh dhe se në këtë qeli i ishin krijuar disa kushte për të marrë mjekimet e duhura. Këmbëngulja e gardianëve për ta nxjerrë atë nga qelia ka rënduar situatën, e cila më pas është kthyer në përleshje midis tij dhe bluve. I burgosuri ka njoftuar familjarët e tij dhe avokatin, të cilët kanë shkuar në burg ku kanë mësuar se ai duke pretenduar se ishte keqtrajtuar kishte nisur grevën e urisë, madje kishte refuzuar të merre mjekimet me insulinë për shkak të sëmundjes nga e cila vuante.
Masat
Burime nga Burreli pohojnë se nga autoritetet e burgut është marrë masë për pezullimin e policit derisa u sqarua çështja. Tashmë polici është kthyer sërish në detyrë, ndërsa i burgosuri nuk dihet nëse ka hequr dorë nga greva e urisë pas takimit me avokatin dhe familjarët e tij. Burime të tjera nga burgu e mohojnë dhunën ndaj të burgosurit, por pranojnë se midis tij dhe policëve ka pasur një grindje e cila është zgjidhur shumë shpejt. Sipas tyre shkak i grindjes ka qenë mbipopullimi i burgut, ç’ka ka detyruar gardianët të lëviznin të dënuarit me qëllim sistemimin e tyre. Lezajt i është kërkuar të ndryshojë qelinë, pasi në të do mbylleshin disa të burgosur të tjerë, por ai nuk ka pranuar, ç’ka ka sjellë më pas incidentin.
I burgosuri
I dënuari me 25 vjet burg, Avni Lezaj është me orgjinë nga qyteti i Kukësit ndërsa është burgosur pak vite më parë pasi është gjetur fajtor për vrasje. Gjatë kohës së qëndrimit në qeli ai ka marrë sëmundjen e diabetit, për shkak të së cilës është shtruar disa herë në spitalin e burgjeve. Kjo sëmundje shpeshherë e ndërthurur me sëmundje të tjera ia ka rënduar atij shëndetin, ç’ka ka bërë shtrimin e tij në spital dhe pas ekzaminimeve i janë dhënë mjekime. Pas përmirësimit të shëndetit ai është dërguar sërish në qeli ku ka vazhduar marrjen e mjekimeve me insulinë. Madje për këtë autoritetet e burgut janë detyruar t’i gjejnë një qeli të përshtatshme ku t’i krijohen brenda kushteve të burgut, lehtësi mjekimi. Familjarë të Lezajt pohuan dje se i afërmi i tyre sipas porosisë së mjekut duhet të qëndronte në një qeli të tillë. Sipas tyre ai kishte disa vite që qëndronte nëpër qeli ku i krijoheshin kushte për mjekimin sëmundjes.

25 vjet
burg është dënuar Avni Lezaj nga Kukësi, i cili është gjetur fajtor për një vrasje të kryer disa vite më parë. Aktualisht ky ndodhet në Burgun e Burrelit

2 dite
ka zgjatur greva e urisë e të burgosurit Avni Lezaj në Burrel, i cili pretendon se është dhunuar ndërsa i ishte kërkuar forcërisht  të ndryshonte qelinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›