I dorëzohen Serbisë

Radovan e Ivan Stojic janë dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën paralele të Kragujevcit. Radovani dyshohet se është personi kryesor që ka gisht në vrasjen e Adem Byqmetit, derisa Ivani akuzohet për vrasje në tentativë. Për këta të dy, Gjykata Themelore e Gjilanit kishte lëshuar fletëarrëst, ndërsa institucionet dhe familjarët e viktimës po kërkojnë që këta të dy të gjykohen në Kosovë.
Duket se nuk patën zgjidhje tjetër. Dy serbët që dyshohet se e vranë Adem Byqmetin dhe ia plagosën vëllanë Ramizin i janë dorëzuar vullnetarisht organeve të rendit. Radovan e Ivan Stojiq deri para pak kohësh ishin persona në kërkim për një vrasje që kanë kryer në një mal të fshatit Ponesh. Këta të dy bashkë me një serb tjetër Momqillo Stojiq, i cili u arrestua më herët, dyshohen se kanë gisht në vrasjen e Adem Byqmetit. U kërkuan kah mos, por kush nuk i gjeti. Prandaj për Radovanin e Ivicën u lëshua një fletë-arrest ndërkombëtar.
E duket se kjo gjë pati sukses. Vetëm pak kohë pas këtij urdhri këta të dy iu vetë-dorëzuan Gjykatës së Kragujevcit, qytetit në të cilin dyshohet se fshiheshin prej muajit të kaluar kur edhe e kryen veprën e rëndë, pas së cilës mbeti i vdekur Ademi dhe u plagos rëndë vëllai i tij Remziu, shkruan express.
Kështu të paktën citohet t’i kenë thënë Rajonipress burime nga Prokuroria dhe Policia e Gjilanit. “Prokuroria dhe policia tashmë janë njoftuar edhe zyrtarisht nga UNMIK-u dhe drejtoria për bashkëpunim ndërkombëtar se dy të dyshuarit kryesor për vrasjen e Adem Byqmetit, Radovan Stojiq i dyshuar për “vrasje” (1969) dhe Ivan Stojiq i dyshuar për “tentim vrasje” janë vetë-dorëzuar në Gjykatën Paralele të Gjilanit me seli në Kragujevc”.
Sipas burimeve të njëjta, i dyshuari kryesor për vrasjen e Adem Byqmetit, Radovan Stojiq është vetë-dorëzuar në Gjykatën Paralele në Kragujevc. E njëjtë thuhet të ketë vepruar edhe Ivan Stojiq, i dyshuar për tentim vrasje në të njëjtin rast. “Këta të dy janë vetë-dorëzuar më 21 janar të këtij viti dhe u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, citohet të ketë thënë i njëjti burim.
E informacione të tillë se dy serbët që po kërkohen nga autoritetet kosovare për vrasjen që ndodhi para një muaji në fshatin Ponesh të Gjilanit ka edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në këtë qytet, Jetish Maloku. “Ne kemi informacione që serbi i dyshuar është vetë-dorëzuar në Gjykatën Paralele në Kragujvec”, ka thënë Maloku. Megjithëse, sipas tij, vetë-dorëzimi dhe caktimi i paraburgimit nuk mjafton.
“Edhe përkundër kësaj, ne do e kërkojmë përmes kanaleve ndërkombëtare që serbët e dyshuar të gjykohen në vendin edhe ku është kryer vrasja , pra në Gjilan”, ka thënë ai. Sipas kryeprokurorit Maloku, Gjykata ka shfrytëzuar rrugën e fundit dhe ka lëshuar fletë-arrestin ndaj të dyshuarit kryesor. “Fletë-arresti është lëshuar dhe po presim që ai të zbatohet”.
E njëjtë mendon edhe Afrim Shefkiu, prokuror i rastit. Ai tha se nëse vetë-dorëzimi ka ndodhur ashtu siç thuhet, dy të dyshuarit kryesorë duhet të përgjigjen për veprën e kryer në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Gjilanit.
Shefkiu tha se për vrasjen në Ponesh tashmë ndodhet në burgun e Gjilanit edhe Momqillo Stojiq. Megjithëse arrestimi i tij nuk ka ndihmuar, pasi sipas prokurorit i njëjti nuk ka pranuar. “Ne presim që të martën ta intervistojmë Momqillo Stojiqin, por fokusi kryesor mbeten dy të dyshuarit kryesorë që tashmë ndodhen në Serbi”, tha prokurori Shefkiu.
Edhe familja e Adem Byqmeti kishte kërkuar nga policia dhe prokuroria që të bëjë të pamundurën që vrasësi të kapet në Kosovë. Ramiz Byqmeti, i cili ditën kritike ndodhej në mal me vëllanë tashmë të ndjerë dhe mori disa plagë, thotë se vetë-dorëzimi i vrasësit në Kragujevc është një kurth i përgatitur nga vetë shteti serb. “Atje ai ka mundësi të dënohet pak dhe të shpëtojë si është më së miri. Neve nuk na kënaq ky arrestim. Ai na vrau në tokën tonë dhe duhet të marrë dënimin e merituar pikërisht në Gjilan”, tha Ramizi.
Ndryshe Adem Byqmeti, 35 vjeç, baba i tri vajzave dhe një djali, u vra derisa po priste dru tek vendi i quajtur mali i Letevcit në Ponesh. Ngjarja ka ndodhur me datë 17 muajin e kaluar rreth orës 14 e 30 minuta. Menjëherë pas vrasjes ishte arrestuar nga policia e Gjilanit, Momqillo Stojiq rreth moshës 27 vjeç, derisa në arrati ndodheshin edhe dy të dyshuarit e tjerë, Radovan e Ivan Stojiq. Thuhej se ata pasi kanë kryer vrasjen kanë lëshuar Kosovën duke u larguar drejt Serbisë.
Prandaj Prokuroria Themelore në Gjilan dhe policia kanë lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar për Radovanin, si i dyshuar kryesor të ketë gisht në vrasjen e Adem Byqmetin (1973) nga Poneshi i Gjilanit. Vetëm një ditë pas ngjarjes, kur dyshohet se disa serb të asaj ane i morën jetën Ademit, vëllai i tij Ramizi, i cili i mbijetoi plagëve që mori vendosi të flasë e të japë detaje se si ndodhi vrasja dhe kush shtiu mbi ta derisa ata po i prisnin drutë në një mal që ishte pronë e huaj. Derisa rrëfente ngjarjen në detaje Ramizi tha se gjithçka nisi, derisa ai me vëllanë e ndjerë kishin shkuar në mal për të marrë dru.
Ai tha se ditën kritike kishte dalë me vëllanë për të prerë në mal të huaj, por jo në mal të serbëve. “S`ka shkuar pak kohë dhe ata dy veta njëri me emrin Bela erdhën dhe sërish filluan të na provokojnë. Ne i treguam se mali nuk është i tyre, por njëri prej tyre e nxori revolen dhe së pari më goditi mua pastaj vëllanë Ademin i cili ra për tokë menjëherë. Pasi shtinë mbi ne ata menjëherë ikën në drejtim të panjohur , me një veturë ngjyrë të kuqe” rrëfeu Ramizi për ngjarjen. E pavarësisht plagëve që mori, Ramizi thotë se ashtu i plagosur ka shkuar në shtëpi dhe u ka treguar familjareve për tmerrin që e përjetuan në atë mal të nëmur. Ndryshe fshati Ponesh ka popullatë të përzier me serbë e shqiptarë./Indeksonline/