I drejtuan armën në gjoks, zbardhet ekspertiza për 3 policët, i rrezikuan jetën qytetarit

Është zbardhur ekspertiza paraprake në lidhje me ngjarjen e 8 marsi të këtij viti në aksin Tiranë-Fushë Krujë.
Sipas ekspertizës plumbat e gjetura në automjetin tip Audi, ka rezultuar se i përkasin armës së shërbimit të ish-efektivit të Shqiponjave R. B. Kjo është vërtetuar në bazë të ekspertizës paraprake të predhave të gjetura në mjetin tip Audi.
Dyshohet se në drejtim të këtij mjeti ka qëlluar edhe një efektiv tjetër, por predha është dëmtuar dhe nuk është vërtetuar ende nëse i përket armës së efektivit E. D.apo F.Z.
Sipas burimeve në makinë janë konstatuar 6 vrima që dyshohet se janë shkaktuar nga 3 plumba, kjo për faktin se kanë depërtuar brenda, duke rrezikuar jetën e shoferit dhe shokut të tij.
Qytetari në dëshminë e tij është shprehur se pasi është ndaluar nga efektivët për kontroll, i ka dhënë dokumentët dhe u ka kërkuar që të largohet pasi kishte djalin në spital. Ky fakt është vërtetuar edhe nga grupi hetimor pasi kanë parë kartelën shëndetësore në spital.
Sipas qytetarit, një nga efektivët i ka vendosur pistoletën në gjoks dhe i ka kërkuar që të dalë nga mjeti. Në momentin që efektivi ka hequr pistoletën nga gjoksi i qytetarit, ky i fundit i ka dhënë gaz mjetit dhe është larguar me shpejtësi. Në këto momente efektivët kanë qëlluar me armën e shërbimit. Pas kësaj policët kanë bërë kallëzim për mosbindje ndaj forcave të policisë, por kanë fshehur faktin që kanë qëlluar me armë. Nga ana tjetër pronari i mjetit ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Tiranës ku pas këqyrjes së mjetit zbuluan ngjarjen e rëndë.
Dy ish-efektivët E.D., F.Z. akuzohen për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyres dhe janë me masë sigurie detyrim paraqitje, ndërsa kolegu i tyre Rezart Berberi ndodhet ende në arrati i akuzuar për vrasje me dashje e mbetur në tentativë. /vizionplus.tv