E Diel, 1 Nëntor 2026

I goditi vëllanë me thikë brenda poliklinikës, shkodrani merr armën dhe shkon të vrasë autorin 18-vjeçar

Zbardhen detaje të reja nga plagosja me thikë e regjistruar paraditen e sotme në ambientet e poliklinikës së Shkodrës. Policia njofton se, pas ngjarjes, është parandaluar një krim i rëndë, pasi vëllai i të plagosurit u nis i armatosur për të vrarë autorin e dyshuar.

Sipas Policisë, rreth orës 11:30, në ambientet e brendshme të poliklinikës, në lagjen “Vasil Shanto”, 18-vjeçari Arvin Fregjaj, dyshohet se ka plagosur me thikë 32-vjeçarin Vildan Kepëca, pas një konflikti për motive të dobëta. I plagosuri u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë u nisën drejt vendngjarjes. Gjatë rrugës, ato morën informacion se vëllai i të plagosurit, Arben Kepëca, 41 vjeç, kishte marrë një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe ishte nisur në këmbë për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes.

Policia ndërhyri në kohë, duke arrestuar në flagrancë 41-vjeçarin. Gjatë ndërhyrjes ai tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit, e cila u sekuestrua bashkë me municionin luftarak në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë, vijojnë kërkimet për kapjen e 18-vjeçarit Arvin Fregjaj, i dyshuar si autori i plagosjes me thikë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›