E Diel, 1 Nëntor 2026

“I izoluar ndërkombëtarisht, të rrëzojmë Ramën”/ Sot protesta e rradhës kombëtare e Opozitës

Sot më 22 mars në orën 18:00, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, organizon protestën e radhës kombëtare në Tiranë, me kërkesa kryesore largimin e kryeministrit Edi Rama, formimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Protesta e sotme mbahet në ditën e diel, në një ditë simbolike për demokratët, duke e lidhur me 22 marsin e vitit 1992, datë historike kur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet pluraliste pas rënies së komunizmit.

Megjithatë, dita e zgjedhur për protestën përkon edhe me festën e komunitetit bektashi, Sulltan Novruzi.

Gjatë një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Berisha bëri thirrje që të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike, të marrin pjesë në protestën e sotme.

Ai e quajti këtë tubim “kryengritjen më të madhe paqësore” të opozitës dhe u kërkoi qytetarëve të tregojnë forcën e tyre në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.

Në një mesazh, dërguar simpatizantëve, PD shprehet se, protesta synon rrëzimin e qeverisë aktuale dhe hapjen e rrugës për një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira  e ndershme.

“Të dashur demokratë: Edi Rama është izoluar ndërkombëtarisht. Në përplasje me drejtësinë. Rezistenca jonë nuk ndalet deri në rrëzimin e tij. Deri në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Detyra jonë është ta rrëzojmë. E diel, ora 18:00, në bulevard”, thuhet në mesazhin e Partisë Demokratike.

Një ditë më parë, kreu i opozitës Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar protestën si kryengritjen më të madhe paqësore të opozitës.

Protesta do të zhvillohet ditën e sotme në orën 18:00, përpara godinës së Kryeministrisë”.

Opozita ka zhvilluar tashmë disa protesta kombëtare para Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e qeverisë Rama dhe duke akuzuar qeverinë aktuale për korrupsion dhe keqqeverisje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›