I kishte dhënë një 12-vjeçari Jet Ski, gjobitet pronari i mjetit lundrues në Dhërmi

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia e Kufitare gjobiti pronarin e një mjeti lundrues tip Jet Ski, në Dhërmi, pasi ia kishte lënë në përdorim një 12-vjeçari.
Policia njoftoi se gjithashtu mjeti nuk dispononte në bord dokumentacionin e detyrueshëm.
Sipas policisë, për këto shkelje, pronari i mjetit lundrues, shtetasi M. Xh., u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues.
Policia Kufitare apelon për qytetarët dhe subjektet që japin me qira mjete lundruese të mos ua besojnë në asnjë rast këto mjete të miturve ose personave që nuk plotësojnë kushtet ligjore për drejtimin e tyre. Drejtimi i mjeteve lundruese nga të miturit rrezikon jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e pushuesve dhe përdoruesve të tjerë të hapësirave detare.
/m.q/j.p/