I mituri mes spitaleve dhe rreziqeve/ Historia e 4 vjeçarit me veshkën e sëmurë, nga Turqia në QSUT në luftë me jetën

Ky katër vjeçar më shumë kohë ka kaluar në spitale se në shtëpi. Noelit problemet i nisën pesë muajsh.
“Rastësisht na dha një temperaturë në moshën pesë muaj dhe nisi kalvari pastaj.”
Mjekët zbuluan një anomali të lindur në traktin urinar.
“Kishte një pengesë të urinimit, në fund të traktit urinar, aty ku bashkohen të dyja veshkat, në fshikëzën e urinës, dhe kjo e bën që kjo lloj pengese të shkaktojë një lloj fryrje të gjithë traktit. Në këtë situatë ishte dëmtuar fshikëza e urinës në një mënyrë disi të pakthyeshme dhe veshka e majtë që u diagnostikua më vonë që ishte pa funksion.”
Për një trajtim më të mirë prindërit menduan spitalet jashtë vendit. Kështu u nisën drejt Stambollit. Por jo çdo gjë shkoi siç pritej për Noelin.
“Ka qene një vjec kur ka ik në Turqi. Bëri ndërhyrje atje. Me ndërhyrjen e dytë që i hoqën veshkën bëri dëm në shëndetin e djalit.”
Shqetësimet për katër vjeçarin nuk po reshtnin. Prindërit vërenin se shëndeti nuk po I përmirësohej derisa një ditë iu desh të ktheheshin në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Veshka e vetme e katër vjeçarit po shfaqte probleme. Për ta shpëtuar, Noeli sipas mjekëve duhej operuar, por me ndërhyrjen e kryer në Turqi mundësitë për zgjidhje para tyre ishin reduktuar.
“Në këto raste në një gjykim normal një ekip mendon se duhet hequr veshka që është pa funksion dhe duhet mbajt ajo me funksion, por duke qenë se fshikëza e urinës ishte e dëmtuar atëherë duhet menduar gjithmonë se si do të shkojë në të ardhmen.
Në këtë aspekt duhet të mendosh se fshikëzën duhet ta rrisësh si kapacitet.
Në këtë aspekt ne kishim menduar gjithmonë që të ruanim këtë traktin e majtë, kanalin, I cili ishte shumë I zgjeruar që të mund ta bënim këtë operacion. Atje bënë rrugën më të thjeshtë, I hoqën veshkën.”
Përpara kësaj situate mjekët kryen një teknikë të paprovuar më parë.
“Zmadhimin e bëmë në gjysmën e ureterit të djathtë … Bëmë një zgjidhje inovative.”
Pas ndërhyrjes babi I Noelit thotë se I biri nuk ka shqetësimet e mëparshme ndërsa kontrollet e shpeshta në spital konfirmojnë përmirësimin e shëndetit të katër vjeçarit.
“Ai do arrijë ta zbrazë vetë vezikën pa pasur mundësi për kateter nuk bën infeksione deri tani, veshka nuk është e fryrë dhe nuk bën insufiçencë.”
Kjo procedurë që tek ky katër vjeçar u përdor përballë mundësive të kufizuara sipas shefit të shërbimit të kirurgjisë infantile në QSUT mund të kthehet në një sugjerim teknik për mjekët në sallën e operacionit për të rritur cilësinë e jetës së shumë pacientëve.