E Diel, 1 Nëntor 2026

I mituri pi cigare në kabinë elektrike, vdes nga korrenti

TIRANE – Një 15-vjeçar humbi jetën dje në Tiranë, pasi ra në kontakt me rrymën elektrike. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:30 pranë zonës së maternitetit të ri “Koço Gliozheni”, në kabinën elektrike të katit të parë të një pallati. I mituri, me dy shokët e tij bashkëmoshatarë, janë futur në kabinën elektrike, dera e së cilës ka qenë e hapur dhe brenda saj Fatjon T. ka gjetur vdekjen nga kontakti me një kabllo korrenti. Për shkak të kontaktit me tensionin e lartë, 15-vjeçari ka mbetur i vdekur në vend dhe, pavarësisht ndërhyrjes së banorëve të pallatit dhe Policisë, ka qenë e pamundur që të mbahej në jetë. Ambulanca e mbërritur në vendin e ngjarjes e ka transportuar trupin e të miturit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pasi nuk ka qenë më e nevojshme që të dërgohej për ndihmë mjekësore në spital. Dy bashkëmoshatarët e viktimës janë marrë në pyetje nga oficerët e Komisariatit Nr.1, në prezencë edhe të një psikologeje dhe fëmijët kanë shpjeguar momentin e ngjarjes. Shokët e viktimës kanë treguar se nuk ishte hera e parë që futeshin në atë kabinë, pasi dera e saj qëndronte vazhdimisht pa çelës. Ndryshe nga si u dyshua në fillim, sikur tre të miturit mund të kishin hyrë aty për të vjedhur, dëshmitarët e ngjarjes kanë treguar se nuk ka qenë kjo arsyeja. Sipas tyre, ata kishin filluar prej pak kohësh që të pinin duhan dhe kabinën e përdornin si vend për t’u fshehur nga prindërit. Ata jetojnë në bllokun e pallateve ku ndodhi ngjarja dhe, përveçse mund të diktoheshin nga të afërmit e tyre, edhe banorët mund t’u tregonin prindërve se djemtë e tyre pinin cigare. Për këtë arsye, nga frika se mos zbuloheshin nga prindërit, ata kishin gjetur si vend të fshehtë kabinën elektrike, pa marrë parasysh rrezikun që u kanosej. Të njëjtin veprim kanë qenë duke kryer edhe dje. Janë futur për të tymosur cigare dhe në një moment, shoku i tyre, 15-vjeçari Fatjon T., ka rënë në kontakt me një kabllo elektrik. Nga frika, dy djemtë e tjerë kanë nxituar të dalin jashtë, ndërsa shoku i tyre ka mbetur i vdekur brenda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›