I mori 25 mijë euro të dënuarit për vrasje për të ndikuar te gjyqtarët, GJKKO lë në “arrest shtëpie” avokatin

Gjykata Kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lënë në fuqi masën “arrest shtëpie” ndaj avokatit Petraq Selmani, i akuzuar për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Selmani akuzohet se i ka marrë 25 mijë euro një të dënuari për vrasje, me qëllim që të ndikojë te gjyqtarët për uljen e dënimit.
Njoftim:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje të personit të arrestuar Petraq Semani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021), me qëllim verifikimin e kushteve të zbatimit të masës.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 228,229, dhe 248 të Kodit të procedurës Penale, me vendimin Nr. 17, datë 22.02.2024, vendosi:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vazhdimin e zbatimit ndaj personit nën hetim Petraq Semani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021), të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr. Penale, e caktuar me vendimin Nr. 15, datë 18.02.2024 të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Urdhërohet personi nën hetim Petraq Semani që të mos largohet nga banesa që ndodhet në Rr. M. Ulqinaku, P.44, Njesia Administrative nr. 5, Tiranë.
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi..
Tiranë, më datë 22.02.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
/Vizionplus.tv/