E Diel, 1 Nëntor 2026

I nxehti shton rastet me viroza, mbi 70 pacientë në Kukës kujdes spitalor brenda 24 orëve

Temperaturat e larta kanë ndikuar në shtimin e rasteve me viroza në Spitalin Rajonal të Kukësit. Gjatë kësaj periudhe është vënë re një rritje e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, siç bën të ditur shefi i urgjencës në Spitalin e Kukësit, Alket Doku.

“Aktualisht në spitalin e Kukësit kemi pasur një fluks të shtuar të pacientëve me simptoma të gjendjeve febrile, me temperaturë dhe dhimbje fyti. Gjithmonë duhet të bëhet kujdes që simptomat të mos neglizhohen.”

Mjekët bëjnë apel për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, veçanërisht në lidhje me ushqimin dhe oraret e daljes nga banesa. Rekomandohet shmangia e qëndrimit në ambiente të nxehta dhe marrja e lëngjeve në sasi të mjaftueshme.

“Pacientët duhet të bëjnë dalje sa më të pakët në pikut e vapës, sepse ajo është kryesorja që ndikon te kjo pjesë. Të bëjnë kujdes me higjienën, me ushqimet dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.”

Rastet prekin grupmosha të ndryshme, ndërsa më të rrezikuar janë të moshuarit, për shkak të sëmundjeve shoqëruese që mund të kenë.

“Gjatë këtyre ditëve kemi pasur raste sporadike edhe tek mosha pediatrike, e cila është më e predispozuar për gjendje febrile. Por ka pasur raste edhe tek mosha e rritur, sidomos tek mosha e tretë, ku për shkak të sëmundjeve shoqëruese imuniteti dobësohet dhe simptomat virale agravojnë më shpejt.”

Sipas mjekëve, numri i personave që kanë kërkuar shërbim mjekësor gjatë kësaj periudhe ka kaluar 70 brenda 24 orëve, duke treguar një fluks të shtuar në urgjencën e spitalit.

Gazetar: Dashmir Shehu

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›