“I përjetshmi” Lebron/ Legjenda e koshit jep një tjetër provë të madhe

Realizoi një ëndërr duke luajtur në krah të të birit.
Gjithsesi, Lebron Xhejms ka një tjetër dëshirë të madhe, titullin kampion në NBA me Los Anxhelos Lejkërsat.
I mbiquajturi “Mbreti i basketbollit”, ai synon që këtë sukses ta arrijë si protagonist, ndonëse për pak ditë mbush 40 vjec.
Lebron ishte i shkëlqyer në fitoren e arritur në Kaliforni ndaj Sakramentos.
Rezultati ishte 132-127 dhe Xhejms realizoi një tripëll dabëll, me 32 pikë të shënuara, 14 topa në tabela dhe 10 asistë.
Ai realizoi 4 kosha për tri pikë dhe gaboi shumë pak në gjuajtje.
Paraqitja e kampionit ishte e shkëlqyer sidomos në periodën e katërt, kur fitorja u rrezikua, dhe ai shënoi 16 pikë.
Natyrisht, ndeshja ishte e vështirë siç e tregon edhe rezultati, dhe Xhejms pati nevojë për ndihmën e yllit tjetër të ekipit, Entoni Dejvis, që shënoi 31 pikë dhe kapi 9 topa në tabela.
Kjo ishte fitorja e tretë në tri ndeshje për Lejkërsat, në një nisje të shkëlqyer të sezonit, ndryshe nga vitet e kaluara.
Lebron është shpallur 4 herë kampion në basketbollin amerikan, ndërsa synon t’i afrohet sa më shumë legjendës tjetër të madhe, Majkëll Xhordan, që ka fituar 6 tituj me Çikagon./abcnews.al