E Hënë, 2 Nëntor 2026

I shtruar në Spitalin e Durrësit, arratiset i arrestuari nga SPAK për vrasjen e 4 personave

Një i burgosur, i shtruar në infektivin e spitalit të Durrësit për probleme shëndetësore, është arratisur këtë të martë, 13 janar. Raportohet se i arratisuri është Altin Ndoci, një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë e i dyshuar për një sërë veprash të rënda penale.

“Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në një deklaratë paraprake të Drejtorisë së Burgjeve.

Ndoci akuzohet nga SPAK si i përfshirë në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, po ashtu armëmbajtje pa leje, vepra të kryera në kuadër të grupit kriminal. Më herët Altin Ndoci ka qenë i akuzuar edhe pse ka marrë pafajësi sa i takon pjesëmarrjes në vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës dhe Dorian Shkozës e Angjelo Avdisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›