E Diel, 1 Nëntor 2026

I vihet tritol marketit në Tiranë, autori i maskuar vendosi lëndën plasëse, policia në kërkim të tij

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në një market të vendosur në një pallat në zonën e Shkozës në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka të plagosur, por vetëm dëme materiale.

Dyshohet se tritoli është vendosur si pasojë e një konflikti të mëparshëm, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se pronarët e lokalit nuk kanë dhënë deklarime në lidhje me rastin, ndërsa grupi hetimor po vijon punën në terren.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë është konstatuar një person i maskuar, i cili i afrohet lokalit, vendos lëndën plasëse dhe largohet në këmbë nga vendngjarja.

Policia po analizon pamjet filmike dhe provat e mbledhura për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa hetimet vijojnë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›