I vuri flakën komshiut, më pas u ul në divan duke qeshur
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Hotolisht të Librazhdit. Dy net më parë, Servet Poçi, bashkë me një shok të tij, ka shkuar për vizitë në shtëpinë e bashkëfshatarit të tyre, Jashar Hoxha, i cili i ka mbajtur për darkë.
Pasi kanë ngrënë e pirë, Jashar Hoxha ka thënë se do ta digjte Servetin, por ai duke mos e besuar, vetëm kishte qeshur. Më pas Hoxha ka dalë jashtë dhe është kthyer brenda me një bidon benzinë dhe ka spërkatur fytyrën e 25-vjeçarit dhe i ka vënë flakën.
Ndërkohë shoku i shokuar ka marrë një batanije për të shuar flakët, kryefamiljari ka ndezur një cigare dhe është ulur në divan duke qeshur.
Kjo ngjarje i ka terrorizuar edhe familjarët, teksa kanë transportuar me urgjencë të riun drejt spitalit të Elbasanit, ku më vonë është transferuar në Tiranë në repartin e djegieve.
Më pas 55 vjeçari Hoxha është vënë në pranga dhe policia ka pohuar se është një konflikt prone strumbullari i gjithë ngjarjes.
Por sipas deklarimit të banorëve për gazetën Shqip, Serveti ka pasur një lidhje me vajzën e Hoxhës dhe i gjithë ky sulm barbar ka ndodhur për tu hakmarrë.