I zhvati biznesmenit 6 mijë euro, policia e Tiranës arreston personazhin e TikTok

Iu prezantua një biznesmeni si zyrtar i lartë i bashkisë dhe i zhvati 6 mijë euro, por Komisariati Nr. 6 në Tiranë e arrestoi mashtruesin Ervis Belollari, 26 vjeç. Në kërkim u shpall bashkëpunëtori i tij, Arsen Matollari, 32 vjeç.
Sipas policisë, këta dy persona kontaktuan një biznesmen nga Lushnja dhe, përmes mashtrimit, i morën 6 mijë euro me pretendimin se vuanin nga një sëmundje e rëndë dhe se duhej të shtroheshin në një spital privat. Pasi përfituan shumën, Belollari kërkoi edhe 7 mijë euro të tjera. Por këtë herë, biznesmeni kuptoi se kishte rënë pre e një mashtrimi dhe bëri kallëzimin në polici.
Ervis Belollari është një personazh i njohur në rrjetin social TikTok.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e një rasti të përfitimit të një shume parash, me anë të mashtrimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Unknown”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi E. B., 26 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. M., 32 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar 6000 euro nga një biznesmen, duke iu prezantuar atij si përfaqësues të drejtuesit të një institucioni vendor.
Vijon puna për kapjen e shtetasit A. M. dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim./vizionplus.tv