E Diel, 1 Nëntor 2026

IKMT aksion në Jalë, nis shembja e strukturave pa leje në bregdet

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka ndërhyrë në bregdetin e Jalës, ku ka nisur shembja e disa strukturave të lehta prej druri të ngritura pa leje përgjatë vijës bregdetare. Operacioni po zhvillohet pa incidente, ndërsa situata në terren paraqitet e qetë.

Objekt i aksionit janë beach bar-e dhe ndërtime të tjera provizore, të cilat, sipas autoriteteve, jo vetëm rezultojnë të paligjshme, por janë ngritur edhe jashtë hapësirave të përcaktuara nga Bashkia për zhvillimin e aktivitetit.

Në mbështetje të operacionit ndodhen edhe forcat e Policisë së Himarës, të cilat po garantojnë mbarëvajtjen e ndërhyrjes. Ndërkohë, një pjesë e pronarëve kanë nisur vetë çmontimin e strukturave përpara se të ndërhyjnë mjetet e IKMT-së.

Aksioni pritet të vijojë edhe gjatë orëve në vazhdim, në kuadër të lirimit të hapësirave publike dhe zbatimit të legjislacionit për ndërtimet pa leje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›