INSTAT: Rritja ekonomike, 2.04 përqind. Ndërtimi dhe transporti, në rënie të lirë
Edhe pse ka shkelur afatet kohore të përcaktuara vetë në kalendarin e publikimeve, INSTAT ka nxjerrë më së fundi rritjen ekonomike për tremujorin e dytë, e cila rezulton të jetë 2.04%. Sipas institutit të statistikave, ekonomia shqiptare ka pasur një rritje pozitive por të ngadaltë, ku kontributin kryesor për rritjen ekonomike e ka pasur sektori i bujqësisë dhe industrisë përkatësisht me 1.4 dhe 6.4%.
Por rënie kanë vijuar të shënojnë sektorë të tjerë të rëndësishëm siç është ai i ndërtimit i cili është ulur rreth 18%, ndërkohë që transporti ka shënuar një rënie në nivelet 7%.Edhe pse në tre muajt e parë të këtij viti degët e turizmit dhe telekomunikacionit kanë patur rënie të thellë, sipas INSTAT ata kanë arritur të përmirësohen ndjeshëm tremujorin e dytë.
Debatet për shifrën e rritjes ekonomike janë bërë shpesh pjesë e debateve politike, por nga ana tjetër ekziston edhe një mos akordim mes vlerësimit që jep qeveria me 3% për këtë vit dhe parashikimet që bëjnë institucionet ndërkombëtare, ku sipas FMN-së ekonomia shqiptare do të rritet vetëm 0.5% për 2012-ën.