INSTAT përgatitet për Censin e Bujqësisë 2026 dhe fotografinë e re të popullsisë në 2031

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e INSTAT, Elsa Dhuli deklaroi sot gjatë raportimit në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, se ka nisur përgatitja për Censin e Bujqësisë, i cili do të zhvillohet në shtator 2026, me një fond të përllogaritur prej 920 milionë lekësh. Censi ishte planifikuar të zhvillohej në vitin 2024.
Censi i Bujqësisë do të realizohet në bashkëpunim me institucione vendase si Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, AZHBR dhe Ministria e Financave, si dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë si FAO, BE dhe Banka Botërore.
Drejtoresha Dhuli po ashtu bëri të ditur se në vitin 2031 do të zhvillohet censi i radhës për popullsinë dhe banesat, por ndryshe nga vitet e mëparshme, ai nuk do të realizohet më me numërues derë më derë.
Sipas saj, procesi do të bazohet në përdorimin e regjistrave administrativë, si ato të gjendjes civile, çka kërkon investime në teknologji dhe shtesë në personel për të garantuar sigurinë e të dhënave.
“Nevojitet staf shtesë dhe infrastrukturë solide teknologjike, me qëllim që të garantohet mbledhja dhe siguria e të dhënave nga burimet administrative”, theksoi Dhuli.
E pyetur për ndikimin e sulmit kibernetik të janarit 2024, Dhuli siguroi se të dhënat e Censit të Popullsisë 2023 nuk janë prekur.
“Janë identifikuar 40 kompjuterë të prekur, nga të cilët 6 ishin të fikur. Nuk janë komprometuar kompjuterët që mbanin të dhëna kritike. Të dhënat e Censit nuk ishin të ruajtura në sistemet e INSTAT-it në momentin e sulmit”, sqaroi ajo.
Dhuli po ashtu vuri në dukje se në vitin 2024, numri i të dhënave të raportuara nga Shqipëria në databazën e Eurostat ishte 7 035 303, duke shënuar një rritje prej 32% krahasuar me vitin 2023.
Drejtorja e INSTAT informoi se në mars të vitit të ardhshëm do të zhvillohet një proces rishikimi (peer review) nga Komisioni Europian, i cili do të realizohet nga një mision me përfaqësues të posaçëm. Ata do të qëndrojnë për një javë në Shqipëri dhe do të zhvillojnë intervista me INSTAT, agjenci të tjera statistikore, media dhe punonjës të rinj të fushës, me synimin për të dhënë një vlerësim cilësor të plotë mbi gjendjen aktuale dhe përputhshmërinë me rekomandimet europiane.
Ky proces, i cili ka përfunduar në vitin 2023 për vendet e tjera europiane, synon të nxisë përmirësimin e komunikimit të vazhdueshëm, zgjerimin e gamës së treguesve statistikore si dhe rritjen e besimit të publikut ndaj statistikave zyrtare. Rekomandimet që do të jepen do të shërbejnë si bazë për vijimin e mëtejshëm të procesit të punësimit dhe zhvillimit të kapaciteteve statistikore në vend.
Statistikat janë instrumenti bazë për ndërtimin e politikave publike të bazuara në evidenca dhe për monitorimin e progresit në përmbushjen e 17 objektivave dhe 169 objektivave specifike të zhvillimit të qëndrueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.
/r.e/a.f/