E Diel, 1 Nëntor 2026

INTELIGJENCA ARTIFICIALE FITON ÇMIM LETRAR/ Franca prezanton “Prix Pascal”

A mund të fitojë një çmim letrar një libër i shkruar me ndihmën e inteligjencës artificiale? Franca i përgjigjet pozitivisht kësaj pyetjeje, duke prezantuar konkursin “Prix Pascal”, që do të vlerësojë pikërisht këtë kategori veprash. Nisma vjen mes polemikave në industrinë e librit për rolin e teknologjisë dhe kufijtë e autorësisë njerëzore.

Franca i hap dyert inteligjencës artificiale në letërsi, duke prezantuar një çmim të ri për veprat e shkruara me ndihmën e teknologjisë, në një kohë kur përdorimi i saj në krijimtarinë artistike po shkakton debate të forta.

Çmimi, i quajtur “Prix Pascal”, do të vlerësojë krijimtarinë letrare të realizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe është i hapur për autorë nga e gjithë bota, pavarësisht përvojës apo shtetësisë.

Kushti kryesor është që veprat të jenë të pabotuara. Afati i dorëzimit përfundon në fund të nëntorit.

Çmimi mban emrin e filozofit, matematikanit dhe shkencëtarit francez Blaise Pascal, i njohur për veprën “Mendime” dhe shpikjen e një makine mekanike llogaritëse.

Organizatorët e kanë zgjedhur si simbol të ndërthurjes së teknologjisë me mjeshtërinë e gjuhës.

Por nisma vjen në një moment përplasjesh në industrinë e librit, ku përdorimi i inteligjencës artificiale ka ngritur pikëpyetje mbi autorësinë dhe origjinalitetin e veprave.

Debati u përshkallëzua në shtator, kur romani i shkrimtarit kanadezo-haitian Thelyson Orelien u përjashtua nga gara për çmimin prestigjioz francez “Prix Goncourt”, për shkak të dyshimeve se ishte shkruar me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Botuesi kanadez ndërpreu më pas bashkëpunimin me autorin, duke deklaruar se informacione të reja kishin forcuar dyshimet.

Orelien i kundërshtoi akuzat, duke deklaruar se teknologjinë e kishte përdorur vetëm për kërkime dhe jo për shkrimin e romanit.

Ndërkohë, juria e “Prix Pascal” do të përzgjedhë dhjetë finalistët në fund të nëntorit, ndërsa fituesi do të shpallet në fillim të dhjetorit.

Përveç shpërblimit financiar, autori fitues do të përfitojë botimin e veprës dhe promovim mediatik.

Çmimi i ri synon t’i japë hapësirë një forme të re krijimtarie, ndërsa mbetet e hapur pyetja se ku përfundon puna e shkrimtarit dhe ku fillon ajo e inteligjencës artificiale.

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›